KF Bashkimi 1947 nga Kumanova ka arritur një sukses historik sot në stadiumin e qytetit në Kavadar, duke mposhtur KF BESA-n e Dobridollit me rezultat 2:0 dhe duke siguruar promovimin në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut (PFLM), përcjell INA.
Në një ndeshje vendimtare për fatin e sezonit, skuadra kumanovare tregoi forcë, disiplinë dhe besim në vetvete. Golin e parë për Bashkimin e shënoi sulmuesi Hebib Saiti në minutën e 37-të, pas një aksioni të bukur që vuri në lëvizje gjithë repartin ofensiv. Epërsia u dyfishua në minutën e 79-të kur Filip Aleksovski finalizoi me qetësi dhe precizitet, duke vulosur fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore, KF Bashkimi 1947 rikthehet në elitën e futbollit pas shumë vitesh mungesë, duke gëzuar tifozët dhe gjithë qytetin e Kumanovës. Ky rikthim në Ligën e Parë përbën një moment historik për klubin që bart një traditë të pasur dhe një emër të respektuar në futbollin vendor.
Ekipi, stafi dhe mbështetësit e Bashkimit tashmë kanë arsye të festojnë dhe të shpresojnë për një të ardhme edhe më të suksesshme në skenën më të lartë të futbollit në vend.
INA-Iliria News Agency uron klubin legjendar për këtë sukses.