Sot, në orën 10:00, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë padinë e Adriatik Lapajt ndaj KAS dhe KQZ-së, i cili kërkon mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Lapaj depozitoi më 4 gusht ankimimin e tij pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ku ndodhet edhe Kolegji Zgjedhor, duke kërkuar që të njihet si fitues i listës së hapur me votat preferenciale të qytetarëve.
Ai kërkon gjithashtu edhe mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, që pretendoi i pari se firma e dorëheqjes së tij duhej verifikuar pasi nuk mbante mend si dhe të kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli, të cilën KQZ-ja e shpalli fituese.
Sipas marrëveshjes paraprake të koalicionit, të gjithë emrat e listës së mbyllur do të dorëzonin mandatin dhe në Kuvend do të hynte më i votuari i listës së hapur. Por tërheqja e dajës së Shabanit nga dorëheqja i bllokoi rrugën Lapajt për në parlament. Në këtë ngërç, kushërira e Lapajt, Kleana Xhuveli, e 4-ta në listë, po ashtu shpalli ambicien për të marrë mandatin. Celibashi ia dha mandatin Xhuvelit, por KAS e riktheu te Ana Dajko, e para në listë.
Me vendimin që pritet të marrë Kolegji sot, pritet që t’i hapet rruga edhe certifikimit zyrtar të 11 majit.