Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në Konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, tha se ky institucion mund të quhet me plot gojën si i tillë. Kreu i qeverisë tha se nuk është e lehtë që një gjë e tillë të thuhet për institucionet e tjera që janë në ndërtim e sipër.
“Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja se BSH është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të republikës tonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, institucion. Në atë kuptim dhe me ato standarte që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi, dhe që bëjnë që ky vend përmbush kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes evropiane.
Nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucionet e tjera që janë në formim e sipër. Do të ishte vërtett e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të BSH për t’u fokusuar dhe konsoloduar si institucion të merrje përsipër dhe të shkruhej për t’u dhënë të tjerëve një pasqyrë të gjithë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë, i cili është plotësisht i integruar në botën ku jetojmë.”, tha Rama.