PRISHTINË – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore para sfidës së rëndësishme ndaj Zvicrës, e cila zhvillohet sot në mbrëmje në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Franco Foda, i cili ka punuar me kujdes në detajet taktike.
Pas fitores 0-2 në transfertë ndaj Sllovenisë, Kosova siguroi vendin e dytë në Grupin B dhe kalimin në play-off-in e Botërorit, një arritje historike për “Dardanët”. Megjithatë, matematikisht ekziston ende një mundësi për kualifikim direkt, por ajo kërkon një mrekulli. Fitore me rezultat minimal 6-0 sot kundër Zvicrës.
Në konferencën për mediet, trajneri Foda u shpreh se objektivi kryesor është një paraqitje dinjitoze dhe fitore ndaj Zvicrës, për të treguar fytyrën e vërtetë të Kosovës, ndryshe nga humbja 4-0 në Basel disa javë më parë.
“U kam thënë futbollistëve se gjëja më e rëndësishme është që të luajmë mirë. Në Zvicër nuk kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen. Në teori shumë gjëra janë të mundshme. Në futboll shpesh ndodhin mrekulli, por realisht, nëse e vlerëson situatën, Zvicra ka qenë shumë konstante në këto kualifikuese dhe të përmbysësh një rezultat për 6-0 është praktikisht e pamundur”, deklaroi Foda.
Trajneri austriak theksoi rëndësinë e impaktit të tifozëve dhe atmosferës në stadium.
“Luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë. Ka një eufori të madhe në vend sidomos pas ndeshjeve të fundit. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje. Fakti që një xhiro para fundit kemi siguruar play-off-in, në një grup me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën, flet shumë për ekipin. Kemi treguar paraqitje të mira, përveç asaj ndeshje të parë në Zvicër”, shtoi ai.
Edhe pse suksesi i arritur deri tani është historik, Foda theksoi se festa e vërtetë do të nisë vetëm nëse Kosova arrin kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
“Festa e madhe do të jetë vetëm kur të kualifikohemi përmes play-off-it. Atëherë do të kemi shkruar një histori të madhe”, përfundoi ai.
Në pesë ndeshjet e Grupit B të zhvilluara deri tani, Kosova me 10 pikë mban vendin e dytë, me tre fitore, një barazim dhe një humbje. Pesë gola kanë shënuar Dardanët, kundrejt katër të pësuarve (në humbjen 4-0 kundër Zvicrës).