Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.
Sipas KQZ-së, kjo periudhë ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.
Lexo edhe:
Përqafimi që mund të kushtojë mbi 30 milionë paund! Sa do t’i kërkohet të paguajë CEO-s së Astronomer në rast divorci për tradhtinë virale
Deri më 18 korrik, janë gjithsej 851 qytetarë që kanë ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit brenda komunës ku janë të regjistruar.
“Ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda të njëjtës komunë është në vullnetin e votuesit, kur ai e sheh të arsyeshme, për të zgjedhur një qendër sa më afër vendbanimit. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote mund ta verifikojnë apo ndryshojnë Qendrën e Votimit, përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org, ose duke dorëzuar kërkesë pranë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, KQZ bën të ditur se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejt nga ky institucion. Ky ndryshim është i lidhur me deklarimin zyrtar të adresës së banimit nga qytetari.
“Për të kaluar në një Qendër Votimi të një komune tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij përmes Zyrës së Gjendjes Civile ose platformës E-Kosova. Pas konfirmimit të adresës së re nga Shërbimi i Gjendjes Civile, ajo reflektohet automatikisht në Regjistrin Qendror Civil”, thotë KQZ.
Të gjitha ndryshimet e adresës së banimit të realizuara deri më 29 gusht 2025 do të pasqyrohen në platformën e KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org, si dhe në Listën Votuese për zgjedhjet e ardhshme.