Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka marrë asnjë përgjegjësi për skemën e manipulimeve të votave të kandidatëve në Prizren.
Ndonëse Kushtetuta dhe ligji ia caktojnë përgjegjësitë për përgatitje, mbikëqyrje dhe verifikim të proceset zgjedhore, deri me tani ky institucion ka ikur nga kjo përgjegjësi.
Neni 139 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 59 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës ia përcaktojnë qartë kompetencat KQZ-së.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.”, thuhet në nenin 139 të Kushtetutës.
Por, ky përkufizim është anashkaluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas shpërthimit të skandalit për manipulimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendra Komunale të Numërimit.
Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime brenda KQZ-së se ky institucion nuk ka bërë asnjë diskutim për përgjegjësinë që ka në “mbikëqyrjen”, “drejtimin” dhe “verfikimin” e “të gjitha veprimeve që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve”.
I njëjti burim i ka thënë gazetës se KQZ-ja nuk ka mbajtur asnjë mbledhje pas ditës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe as gjatë ditëve sa numëroheshin votat e kandidatëve për deputetë.
Një gjë e tillë ishte vënë re edhe nga monitoruesi i zgjedhjeve, Eugen Cakolli.
Më 8 janar, në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruante se prej më shumë se 10 ditësh nuk është mbajtur asnjë mbledhje formale e KQZ-së, ku do të duhej të kishte raportime dhe diskutime më të detajuara mbi aspektet teknike dhe operacionale të procesit zgjedhor, sidomos mbarëvajtjen e kësaj faze.
Mbledhjen e parë pas zgjedhjeve, KQZ e ka mbajtur 16 ditë pas 28 dhjetorit, në 13 janar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur sytë përballë obligimeve tjera ligjore, sikurse përcaktohet në nenin 64 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku KQZ bëhet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.
KQZ-ja shkarkoi komisionin jofunksional të Prizrenit
Pavarësisht se KQZ-ja është përgjegjëse për zbatimin e ligjit, ky institucion ka arritur që medialisht ta shkarkojë të gjithë përgjegjësinë për keqmenxhimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit tek një grup i vogël personash në komunën e Prizrenit.
Në mbledhjen e fundit të këtij institucioni, anëtarët e KQZ-së kanë votuar propozimin për shkarkimin e përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.
Ky vendim i KQZ-së duket absurd, pasi që në këtë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prizren është jofunksional, sepse nuk zhvillon aktivitete substanciale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Në disa QKN-të janë konstatuar parregullsi të rënda në numërimin e fletëvotimeve për kandidatët për deputetë, duke tjetërsuar votën. Kjo është pranuar nga vetë KQZ në mbledhjen kur u vendos të shkarkoheshin përfaqësuesit politik të komisionit lokal të zgjedhjeve.
“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë”, ka thënë në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje asnjë fjalë nuk është thënë për përgjegjësinë e vetë KQZ-së në menaxhimin, mbikëqyrjen dhe verifikimin e veprimeve në procesin zgjedhor në nivelin lokal.
Sipas ligjit, Komisionet Komunale të Zgjedhjeve administrojnë zgjedhjet brenda komunave të tyre, por kjo bëhet nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimete KQZ-së.
Numërimi në KQZ pa masa verifikimi
Gazeta Nacionale ka raportuar disa ditë më herët se nuk dihet nëse KQZ ka mbikëqyrur procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe nëse janë zbatuar vetë rregullat zgjedhore të nxjerra nga ky institucion për numërimin e votave.
Nacionale ka mësuar se asnjë masë parandaluese nuk është marrë nga KQZ për të parandaluar keqpërdorimin e rezultateve në Qendra Komunale të Numërimit dhe rrjedhimisht asnjë vendvotim nuk është verifikuar gjatë kohës sa po ndodhte numërimi i votave të kandidatëve.
Anëtarët e KQZ-së kanë vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve vetëm pasi që siç është thënë në njoftimin zyrtar të KQZ-së, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e video-incizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Nëse ky veprim, i paparaparë në rregulloren e KQZ-së, nuk do të ndodhte, me shumë gjasë nuk do të kuptohej asnjëherë për ndërhyrjet në evidentimin e rezultatit zgjedhor. Kjo do të mund të verifikohej, vetëm në rast se PZAP do të kërkonte rinumërim të këtyre vendvotimeve/Nacionale.