Kompania postare DHL, e cila realizoi procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për shqiptarët e diasporës, kërkon 26 milionë lekë kamatëvonesa, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka paguar për punën e kryer në zgjedhjet e 11 majit.
Në një kërkesë drejtuar KQZ-së, kompania DHL vë në dukje se kontrata e firmosur për zgjedhjet parlamentare parashikon se shuma prej 863 milionë lekësh duhej të ishte paguar brenda një muaji nga momenti i dorëzimit të faturave, detyrim të cilin DHL e ka plotësuar prej muajit qershor, duke vënë në dukje se për çdo vonesë kontrata parashikon penalitete.
Por kompania DHL thekson se është e gatshme të heqë dorë nga pagesa e kamatëvonesave nëse brenda 15 ditëve KQZ shlyen detyrimet sipas kontratës. Deri më tani, kompania postare DHL i ka nisur 6 kërkesa KQZ-së për të marrë pagesën për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar të suksesshëm procesin e votimit të diasporës.
Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që në krye të herës ka vendosur të verifikojë të gjithë punën e DHL dhe faturat dhe më pas të kryejë pagesën në bazë të këtij procesi verifikimi.
Në një reagim zyrtar, KQZ konfirmoi se kompania DHL ende nuk ka marrë asnjë pagesë. Sipas KQZ-së, kjo ka ndodhur për shkak se ende nuk ka përfunduar raporti i zbatimit të kontratës, për shkak të volumit të madh të të dhënave për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Në zgjedhjet e 11 majit, për herë të parë votuan edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. 202 mijë qytetarë shqiptarë nga 85 shtete të botës votuan nëpërmjet postës, shërbim që u realizua nga kompania DHL.