Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku si kandidat për kryetar kuvendi u propozua ministri në detyrë, Hekuran Murati.
Krasniqi kritikoi ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar për zvarritje të procesit të konstituimit të institucioneve.
“U bë e qartë që po vijnë në seanca vetëm për të humbur kohë. Kjo është një lojë krejtësisht e padrejtë e Albin Kurtit, që synon të zvarrisë procesin”, tha Krasniqi, duke shtuar se propozimet për kandidat si Murati janë të qëllimshme për të pamundësuar votimin.
Ai theksoi se Vetëvendosje po vepron me vetëdije për të mos lejuar konstituimin e kuvendit dhe për të mbajtur pezull jetësimin e institucioneve të reja.
“Janë të paktën 35 deputetë të tjerë që kanë shumë më shumë mundësi për të marrë mbështetje sesa këta ministra që e kanë degraduar vendin. Kjo është vetëm një vazhdimësi e lojës së VV-së”, theksoi kreu i PDK-së.
Krasniqi akuzoi VV-në se me afrimin e zgjedhjeve, po përpiqet të luajë rolin e “popullistit dhe patriotit”, ndërsa në po të njëjtën kohë po mban peng institucionet.