Ish-kryeministri Sali Berisha, për herë të parë përballet me SPAK për krimin shtetëror të 21 Janarit. Pasi iu shmang dy herë fletëthirrjeve, Berisha u paraqit sot në SPAK në orën 09:00 për tu marrë në pyetje nga prokurori Alfred Shehu si person që ka dijeni për vrasjen e 4 protestuesve në bulevard më 2011, kur Edi Rama asokohe drejtues i opozitës protestonte para zyrës së tij kryeministrore.
Paraqitja e ish-kryeministrit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar për rolin dhe përgjegjësinë e tij për vrasjen e 4 protestuesve në bulevard nga plumbat që dolën nga kryeministria vjen pas manovrave që ai bëri me fletëthirrjet dhe akuzave ndaj drejtuesit Altin Dumani se po bën propagandë.
Vetëm një ditë më parë, Berisha i trembur nga SPAK, pranoi se vrasjet e 21 janarit janë krim shtetëror, por sipas tij ishin padashje. Ndërsa, mori në mbrojtje Gardën duke thënë se ka vepruar sipas ligjit.
Paraqitja e ish-kryeministrit vjen pas manovrave që ai bëri me fletëthirrjet dhe akuzave ndaj drejtuesit Altin Dumani se po bën propagandë. SPAK i dërgoi dy fletëthirrje në datat 3 dhe 7 nëntor. Pas refuzimit të së parës, SPAK ia dorëzoi të dytën në tre adresa (banesë, selinë e PD dhe Kuvend), por sërish nuk pranoi asnjërën. Të tretës nuk iu shmang dot pasi iu la në dorë nga SPAK, kur Berisha shkoi të hënën atje për aferën “Partizani”.
Më herët është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Thirrja e Berishës vjen rreth 1 vit e gjysmë që kur SPAK mori në dorë dosjen për 4 vrasjet e protestuesve.
Dosja 21 janari
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.