Mësohet se SPAK ia ka dërguar fletëthirrjen Berishës në adresa, në banesën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme firmos në drejtim të ish Kryeministrit pasi e para, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapa pa u hapur.  Kjo ka detyruar SPAK që të nisë një tjetër fletë thirrje, që mban datën 7 nëntor, këtë herë jo më vetëm në banesën e ish Kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe Partinë Demokratike.

“Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 “Për thirrjen e shtetasit”, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1. Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011”, thuhet në fletë thirrjen dorëzuar Berishës më datë 3 nëntor.

SPAK e ka thirrur Berishën gati dy javë pasi mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Më 30 tetor ai u pyet për 1 orë nga SPAK, por në dalje të Prokurorisë së Posaçme, Basha u tregua i rezervuar dhe nuk dha asnjë detaj për mediat se çfarë kishte deklaruar duke thënë se ishte për një çështje në hetim dhe do ruajë sekretin hetimor.

 

Me interes pritet të shihet nëse Lulzim Basha është vendosur 100% në dispozicion të drejtësisë për të treguar përballë hetuesve, gjithçka ai di, gati 15 vite nga vrasjet në bulevard. Kur është pyetur publikisht për rolin e Berishës, Basha ka zgjedhur të mos komentojë. Ndërsa vetë Berisha pak ditë më parë u shfaq para SPAK duke mbrojtur krimin shtetëror të 21 janarit.

Dosja 21 janari 

SPAK ka në duar sfidën e të vënit drejtësi për krimin e gjykuar një herë nga sistemi i vjetër, si “vrasje nga pakujdesia”. Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK. Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Berishës, Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë.

Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.

Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

Fletthirrja ndaj Sali Berishes