Prej ku e kanë origjinën pakënaqësitë? Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Jeleazkov, bëri të ditur të enjten se kishte vendosur të paraqiste dorëheqjen e plotë të qeverisë së tij, pas disa javësh krizë politike dhe trazirash sociale. Protesta masive në rrugët e Sofjes dhe në shumë qytete të tjera të vendit kishin shpërthyer për shkak të pakënaqësive të rritura ndaj politikave ekonomike të ekzekutivit dhe perceptimit se qeveria kishte dështuar të luftonte korrupsionin e rrënjosur në administratë dhe sektorë të tjerë shtetërorë.
Në deklaratën e tij televizive, Jeleazkov pranoi se klima sociale në vend ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se qeveria nuk kishte arritur të ruante besimin e mjaftueshëm të qytetarëve, prandaj kishte vendosur të largohej “për të shmangur një polarizim të mëtejshëm dhe për të garantuar stabilitet institucional”. Njoftimi erdhi vetëm pak çaste para se Parlamenti të votonte mocionin e mosbesimit, i cili pritej të kalonte me shumicë votash.
Dorëheqja e kryeministrit ndodh në një moment kyç për Bullgarinë, e cila ndodhet në prag të hyrjes në zonën euro, e planifikuar për datën 1 janar. Prandaj kriza politike ka krijuar shqetësime të thella si brenda vendit, ashtu edhe në institucionet europiane, duke ngritur pikëpyetje rreth aftësisë së autoriteteve bullgare për të zbatuar reformat e nevojshme financiare dhe administrative për anëtarësimin në mekanizmin monetar të eurozonës.
Mijëra qytetarë bullgarë kishin dalë në protesta të mërkurën në mbrëmje, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë së sapo rrëzuar dhe ndaj mungesës së rezultateve në luftën kundër korrupsionit, i cili konsiderohet prej kohësh si një nga problemet më të mëdha strukturore të shtetit. Bullgaria, vendi më i varfër i BE-së, prej vitesh ka qenë nën monitorim të rreptë nga institucionet europiane lidhur me sundimin e ligjit, transparencën dhe kontrollin e fondeve publike.
Protestat masive në Sofje dhe në dhjetëra qytete të tjera të Bullgarisë janë pjesë e një valë të gjerë demonstratash që kanë vazhduar për disa javë rresht. Ato vijnë pikërisht në një moment ku vendi po përgatitet të braktisë monedhën kombëtare, levan bullgar, dhe të adoptojë euron. Ndryshimi i monedhës kërkon stabilitet ekonomik, transparencë fiskale dhe kontroll rigoroz të politkave buxhetore – dy fusha ku protestuesit akuzojnë qeverinë për mungesë përgjegjësie.
Prej nga nisën pakënaqësitë?
Vali i pakënaqësive kulmoi në fund të muajit nëntor, kur qeveria u përpoq të miratonte me procedurë të përshpejtuar projektbuxhetin për vitin 2026. Ky ishte buxheti i parë i hartuar drejtpërdrejt në euro, monedhën që Bullgaria pritet të përdorë zyrtarisht nga 1 janari. Shumë qytetarë, sidomos të rinj, u ndjenë të përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes dhe akuzuan qeverinë se po përpiqej të kalonte buxhetin pa transparencë të mjaftueshme.
Projekti i buxhetit parashikonte rritje të taksave, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe masa të tjera fiskale që qeveria i argumentonte si të domosdoshme për konvergjencën ekonomike me eurozonën. Megjithatë, protestuesit dhe opozita pretenduan se këto rritje synonin të maskonin devijime të mundshme të fondeve publike dhe të mbulonin abuzime financiare.
Përballë presionit të protestave të shumta në rrugë, qeveria u detyrua më 3 dhjetor të tërhiqte projektbuxhetin dhe të premtonte një variant të ri, më transparent dhe më të konsultuar me publikun. Ky projektbuxhet i ri u paraqit në parlament në fillim të kësaj jave, por tensionet politike dhe sociale vijuan të rriten deri në momentin kur Kryeministri Jeleazkov vendosi të largohej nga posti.
—