Albin Kurti dhe Edi Rama përplasen në distancë për protestën që do të organizohet nesër në Tiranë nga veteranët e UÇK-së. Asnjëri prej tyre nuk do t’i bashkohet protestës. Kurti thotë se qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, por qëndrimi i tyre për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar. Ndërsa, Rama thotë se me gjithë zemër do ishte bashkuar, por zgjodhi të qëndrojë distant pikërisht për shkak të politizimit të çështjes.
I pari që nisi përplasjen në distancë ishte vetë kryeministri Kurti. Deri më tani kishte mbizotëruar heshtja nga qeveria e Kosovës mbi këtë protestë, por Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje për të dhënë një qëndrim për protestën, ku një sulm rezervoi edhe për kryeministrin Rama.
Por, Kurti ‘harron’ që protesta nuk është organizuar nga qeveria shqiptare, por nga veteranët, të cilët protestën e tretë kanë zgjedhur që ta mbajnë në Tiranë dhe ftesën për pjesëmarrje ja kanë bërë dy krahëve të politikës, edhe PS edhe PD. Në postimin e partisë së Kurtit orët e vona të mbrëmjes së 15 tetorit, thuhet se “ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”. Kurti akuzon Ramën se ka qenë pro ngritjes së Gjykatës Speciale në Hagë dhe për këtë i thotë se duhet të tregojë pendesë, suke shkruar se “Rama, kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.”
Lëvizja Vetëvendosje kritikon gjithashtu qeverinë shqiptare teksa thotë se institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrenë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Por në fakt, ndryshe nga sa pretendon Kurti, qeveria shqiptare është vënë në lëvizje prej kohësh dhe në vitin 2022 Shqipëria ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë për rishikim të Rezolutës së vitit 2011 të Këshillit të Evropës, mbi të cilën u ngritën akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK për trafik organesh të qenieve njerëzore në kohën e luftës.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë”, thuhet në postim.
Përgjigjja e kryeministrit Rama erdhi menjëherë, i cili postimin e Vetëvendosjes e quajti “çarçaf” dhe u kujdes t’i tregojë ‘vijat e kuqe’ Kurtit. Gjykata Speciale thotë Rama, nuk u ngrit për të marrë peng ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por për trafikun e organeve. Ndërsa, partinë që drejton Albin Kurti, e akuzon se Thaçin do ta donte përjetësisht në Hagë.
“Ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama.
Ndonëse vetë veteranët e UÇK-së kishin deklaruar se në protestë do jetë edhe kryeministri Edi Rama, ky i fundit në një postim në platformën “X”, shkruan se nuk do të marrë pjesë në protestë ndonëse e mbështet me gjithë zemër. Arsyen se përse nuk do t’i bashkohet protestës e gjen pikërisht tek politizimi që i bëhet kësaj çështje.
“Unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama.
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së mbahet nesër në sheshin “Skëndërbej” në orën 17:00 dhe pritet të marrin pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, apo Ali Ahmeti. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi një ditë më parë se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj, ndërsa PD ka refuzuar pasi nuk duan të jenë në krah të Ramës, të cilin e akuzojnë se ka goditur pas shpine Kosovën.
Protesta në Tiranë për ish krerët e UÇK, Rama-Kurtit: LVV 10 vite më parë s’njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Thaçit! Do e donte përjetësisht në Hagë
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së në mbështetje të Hashim Thaçit dhe tre të tjerëve që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës ka përplasur kryeministrin Edi Rama me atë të Kosovës, Albin Kurti. Kreu i qeverisë së Shqipërisë i është përgjigjur Kurtit pas një postimi të bërë nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën thoshte se Rama kishte shkuar me helikopter në Prishtinë për të bindur palët të votonin pro ngritjes së kësaj gjykate.
Rama, teksa thekson se nuk do të marrë pjesë në protestë për të shmangur dëmtimin dhe politizimin e saj, i kujton Kurtit se ai gjithmonë ka denoncuar farsën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kudo dhe kurdo. Rama thotë gjithashtu se nuk është në garë me LVV, e cila sipas tij, po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë me çorbën e balotazheve komunale, duke iu referuar raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që do mbahen në Kosovë më 9 nëntor.
Mes të tjerash, Rama i kujton se LVV 10 vite më parë nuk njihte as himnin e Kosovës dhe jo më të mbështeste pafajësinë e ish presidentit Thaçi. Rama i thotë gjithashtu se partia e tij do e donte ish presidentin përjetësisht në Hagë.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës. Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.”, shkruan Rama.