Kryeministri Edi Rama është nisur ditën e sotme drejt Romës ku do të pritet në takim nga Papa Leone XIV. Përveç delegacionit, Rama është gjithashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Në vizitën zyrtare në Vatikan, kryeministri Rama do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.
Më pas Rama do të zhvillojë një takim me Papa Leonen në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik. E radhës në agjendë, është vizita në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me Kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotografi nga vizita e tij në Vatikan, ku pritet të takohet me Atin e Shenjtë, Papa Leo XVI.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, krahas fotografive, Rama ka shkruar se ka vizituar bazilikën e famshme të Genazzano, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.
Po ashtu Rama ka shkruar se që nga ajo kohë ‘asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës’.
“VIZITA NË VATIKAN për takimin me Atin e Shenjtë, nisi sot nga Genazzano, në bazilikën e famshme, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467
Që nga ajo kohë asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës. Gjëja e parë që bëri edhe Papa Leoni XVI sapo u zgjodh, ishte vinte e të lutej në Genazzano te Zoja e Shqipërisë që thirret edhe Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë”, ka shkruar Rama.
R.Xh/Shqiptarja.com