Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Ujit, paralajmëroi krijimin e një Task Force në nivel kombëtar, për të mbrojtur qytetarët që paguajnë rregullisht dhe për të garantuar shërbim më të mirë.
Shefi i qeverisë nënvizoi se qytetarët që paguajnë ujin kanë të drejtë të marrin shërbim cilësor, ndërsa abuzuesit që e vjedhin duhet të penalizohen me heqje lirie.
Rama: Ai që paguan ujin ka të gjithë të drejtën të vendosë kujën pse nuk e merr ujin. Ndërsa ai që e vjedh ujin, duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vidhnin energji elektrike. Atyre që nuk paguanin energjinë, nuk iu hoq liria, por iu pre energjia. Një gjë është të mos e paguash dhe një gjë ta vjedhësh. Një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je një klient i regjistruar, një gjë është të fusësh tubin te kanali kryesor i furnizimit dhe të vadisësh me ujë të pijshëm bahçen dhe të furnizosh lavazhin. Siç krijuam Task Forcën e energjisë do të krijojmë Task Forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do të punojmë shumë fort për të respektuar qytetarët që paguajnë rregullisht ujin dhe që meritojnë një shërbim më të mirë.