Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka dhënë detaje të reja mbi hetimet që po zhvillohen për veprën penale të spiunazhit.
Isufajt me theks të vecantë ka folur për rolin e inteligjencës serbe në Kosovë.
“Inteligjenca serbe dhe vet shteti serb, është e njohur botërisht se janë të interesuar me kriju kaos dhe me realizu interesa të tyre në Kosovë,” tha ai, duke nënvizuar se objektiv i këtyre strukturave janë sidomos institucionet në pjesën veriore të vendit.
“Atyre ju intereson gjithçka që zhvillohet në Kosovë, e sidomos veprimtaria e institucioneve në pjesën veriore të Kosovës,” shtoi Isufaj.
Sipas tij, shërbimet sekrete serbe kanë përfshirë edhe forma të tjera të ndikimit, përfshirë financimin e individëve për të shkuar në luftëra të huaja me qëllime destabilizuese.
“E kam thënë disa herë që një pjesë e qytetarëve të Kosovës pa vetëdije janë të manipuluar dhe keqpërdoren kinse për të luftuar për të drejtat e një populli tjetër atje. Unë jam i sigurt se shërbimet sekrete serbe financojnë me të madhe këtë kategori të njerëzve për të shkuar në Siri, në Irak e vende të tjera me qëllim që në Kosovë ta krijojnë një mentalitet tjetër, ndoshta edhe fundamental,” deklaroi ai, duke përjashtuar çdo mundësi që këto veprime të tolerohen në një shtet demokratik.
Ai shtoi se çdo hetim sjell të dhëna të reja dhe se pajisjet elektronike luajnë një rol kyç në zbulimin e lidhjeve me veprimtari të rrezikshme.
“Hetimet vazhdimisht sjellin risi. Ne gjatë operacioneve të ndryshme kemi situata kur ekzaminomë telefona, kompjuterë, llaptopë e pajisje tjera dhe prej një situate dalim te situata tjetër. Këtë që po e them, e them me kompetencë të plotë – shërbimi sekret serb punon me të madhe për të rekrutuar shqiptarë që t’i bashkohen luftërave të huaja,” përfundoi kryeprokurori.
Isufaj ka thënë se rasti i togerit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq që u arrestua ditë më parë, është pjesë e një sërë hetimesh që janë në vazhdim.
“Po, është e vërtetë që para pak ditësh Prokuroria Speciale arrestoi një toger të Policisë së Kosovës, me dyshimin se ai kishte kryer veprën penale të spiunazhit,” deklaroi Isufaj në emisionin “KallxoPërnime”.
Ai e krahasoi këtë rast me një tjetër të mëhershëm që tashmë është përmbyllur me aktgjykim të formës së prerë, ku Aleksandër Vlajiq u dënua me pesë vite burg, pas pranimit të fajësisë. “Kjo situatë ndodhi afërsisht një muaj pasi gjykata, në bazë të pranimit të fajësisë, dënoi 5 vite burg Aleksandër Vlajiqin, për vepër të njëjtë penale, të spiunazhit,” shtoi ai.
Duke folur për procesin hetimor, Isufaj u tregua i kujdesshëm, por njëkohësisht theksoi se institucionet kanë prova të mjaftueshme për të vazhduar procedurat. “Unë nuk i jap vetes të drejtë që në këtë fazë të deklarohem përtej asaj që më lejohet sepse ju e dini që vetëm një rast e kemi të gjykuar, kurse raste të tjera janë në proces, janë në fazën e hetimit, në fazën e shqyrtimit, por jeni të sigurt se ajo çka ne e kemi e plotëson atë kriterin e një dyshimi të bazuar se ata kishin për të kryer veprat penale për të cilat edhe hetohen,” u shpreh ai.
Kryeprokurori njoftoi gjithashtu se hetimet përfshijnë individë të përkatësive të ndryshme etnike.
“Ka persona të tjerë në hetim, ka persona të tjerë në shqyrtim gjyqësor, të gjithë prezumohen të pafajshëm derisa të mos e thotë fjalën gjykata, megjithatë ne jemi duke punuar maksimalisht dhe duke përdorur standardet më të mira të mundshme për t’i hetuar dhe trajtuar me sukses. Ka shqiptarë, ka serbë, ka të ndryshëm,” theksoi ai.