Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas vandalizimit të posterit që promovonte koncertin në kuadër të manifestimt të Ditëve të Komandant Lleshit.
Ridvan Qazimi, i njohur me nofkën komandant Lleshi, ishte ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ai ra dëshmor më 24 maj të vitit 2001 në fshatin Tërnoc i Madh.
Një video është publikuar ku shihet një person duke thyer xhamat e duke vandalizuar posterin e komandant Lleshit në Bujanoc.
Pajaziti e ka quajtur sulm të papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës dhe përpjekjeve për nderim të figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë.
“Me shqetësim dhe indinjatë kemi mësuar për aktin vandal të kryer ndaj posterit që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit. Thyerja e xhamit dhe dëmtimi i këtij posteri nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës sonë dhe përpjekjeve për nderimin e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin tonë. Ky akt i ulët nuk përfaqëson vlerat e qytetarëve tanë dhe të komunitetit tonë të shumëllojshëm që ndërton mbi respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Ne e dënojmë fuqishëm këtë veprim dhe bëjmë thirrje që autoritetet përkatëse ta hetojnë rastin me seriozitetin e duhur, në mënyrë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për këtë sjellje të papranueshme”, ka shkruar Pajaziti në Facebook.
Ai ka thënë se aktet e tilla cenojnë frymën e unitetit dhe se do të vazhdohet me manifestimin siç është planifikuar.
“Ne nuk do të lejojmë që akte të tilla të cenojnë frymën e unitetit dhe të respektit që përpiqemi të ndërtojmë çdo ditë. Manifestimi i Ditëve të Komandant Lleshit do të vazhdojë siç është paraparë – me dinjitet, krenari dhe në nderim të historisë sonë”.