Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, po merr pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Drejtësinë, e cila po zhvillohet në Riad, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Aktiviteti ka mbledhur përfaqësues të nivelit të lartë të sistemeve gjyqësore, akademikë dhe ekspertë të drejtësisë nga më shumë se 30 vende të botës, me fokus në modernizimin e institucioneve të drejtësisë dhe forcimin e integritetit institucional.
Sadushi ishte i ftuar si folës kryesor në sesionin e dytë të konferencës, ku mbajti një prezantim mbi rolin e procedurave gjyqësore në sigurimin e një drejtësie cilësore, të pavarur dhe të besueshme.
Në fjalën e tij, kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se qartësia, koherenca dhe transparenca procedurale përbëjnë themelin e besimit publik dhe garanci për funksionimin korrekt të sistemit të drejtësisë.
“Transparenca dhe rregullat procedurale të qarta janë një parakusht për besimin e publikut dhe për garantimin e të drejtave të qytetarëve në procesin gjyqësor”, u shpreh Sadushi.
Ai prezantoi përvojën e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke ndalur veçanërisht tek transformimi i Gjykatës së Lartë në aspektin organizativ dhe teknologjik. Sadushi vuri në pah rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve, përshpejtimin e proceseve vendimmarrëse dhe reduktimin e stokut të dosjeve, falë zbatimit të metodave të menaxhimit inteligjent dhe digjitalizimit të procedurave gjyqësore.
Gjithashtu, ai theksoi se përdorimi i teknologjisë, transparenca e vendimeve, standardet procedurale dhe komunikimi publik kanë krijuar një raport të ri besimi mes qytetarëve dhe sistemit gjyqësor.
“Këto elementë jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e vendimmarrjes, por edhe fuqizojnë pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë”, nënvizoi Sadushi.
Në delegacionin shqiptar marrin pjesë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, Artur Kalaja dhe Sokol Binaj, dy profesionistë të shquar, të cilët pritet të zhvillojnë takime dypalëshe me homologë nga vende të ndryshme me synim shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin institucional.
Konferenca në Riad synon krijimin e platformave ndërkombëtare për dialog dhe inovacion në fushën e drejtësisë, me qëllim forcimin e sistemeve gjyqësore në një realitet global në ndryshim të shpejtë.