Në Tiranë është ngritur i pari spital veterinar, i pajisur me protokollet dhe aparaturat më bashkëkohore për kujdesin ndaj kafshëve.
Kryeministri Edi Rama pa nga afër spitalin i cili përfshin shërbimin e urgjencës, sallat e operacioneve, stomatologjinë, përfshirë edhe radiografinë digjitale.
“Është një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor. Është një destinacion pa diskutim arkitekture dhe në fund fare po jo nga rëndësia, është një destinacion sipërmarrjeje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen. është shumë emocionuese të shikosh të gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe gjithë itinerarin e përkujdesjes për këto kafshë dhe patjetër është dhe krenari e madhe të mendosh që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri”, tha kryeministri Rama.
Sipas kryeministrit, iniciativa të tilla janë të mirëpritura për kryeqytetin.
“Nëse duan arsye për të besuar tek vetja, nëse duan arsye për të besuar tek e nesërmja, këtu mund të gjejnë të gjitha arsyet dhe në fund duhet të shpreh mirënjohjen edhe për kontributin që shkon shumë përtej kafshëve, qenve, maceve dhe të familjarëve të tyre i quani ju më duket, që është një kontribut për shoqërinë, është një kontribut për qytetin, kryeqytetin, është një kontribut për brezat që vijnë pa diskutim”, shtoi më tej kreu i qeverisë.
Spitali pret minimalisht 100 vizita në ditë. Por nuk kufizohet vetëm me mjekimin. Në të ka ambiente të dedikuara edhe për blerjen e ushqimeve, veshjeve dhe trajtimit estetik për kafshët.