Kupa e Shqipërisë për edicionin 2025-2026 ngre zyrtarisht siparin më 14 dhe 15 tetor, në orën 13:30, me zhvillimin e turit të parë, që pritet të sjellë përballje interesante mes skuadrave të Kategorisë Superiore, të Parë dhe të Dytë. Pas turit paraeliminator, ku siguruan kualifikimin Basania dhe Këlcyra, tashmë gjithçka është gati për fazën e parë të vërtetë të këtij kompeticioni prestigjioz.
Ndeshjet do të zhvillohen me sistem eliminimi direkt, në një takim të vetëm, çka shton emocionin dhe mundësinë e surprizave, një element që ka shoqëruar shpesh këtë turne. Ky është edicioni i 75-të i Kupës së Shqipërisë, një jubile i rëndësishëm që niset sot me dy sfidat hapëse, Korabi – Veleçiku dhe Laçi – Këlcyra. Megjithëse në letër janë pritëse, Korabi dhe Laçi do të luajnë jashtë shtëpisë, për arsye organizative dhe logjistike.
Objektivi është ruajtja e terreneve kryesore për kampionatin, por edhe lehtësimi i akomodimit të lojtarëve, që shumica e kohës qëndrojnë në kryeqytet. Kështu, Korabi do të zhvillojë ndeshjen në kompleksin “Internacional” në Pezë, ndërsa Laçi do të përballet me Këlcyrën në fushën sportive të Ahmetaqit, pronë e klubit Vorës, që i ka dhënë përkohësisht në përdorim terrenin.
14 NDESHJE LUHEN NESËR
Të 14 çiftet e tjera të turit të parë do të zhvillohen nesër, duke sjellë ndeshje të shpërndara në disa qytete. Disa skuadra kanë zgjedhur të luajnë në fushat stërvitore ku përgatiten zakonisht, për të kursyer kohë dhe logjistikë. Për shembull, Besa rikthehet të luajë në Kavajë, në “Fushën e Vjetër”, e cila është rikonstruktuar rishtazi. Lushnja pret Butrintin në Plug, Kastrioti ka përzgjedhur Qendrën Kombëtare Sportive në Kamëz, ndërsa Flamurtari do të sfidojë Naftëtarin në stadiumin e Orikut.
TURI I DYTË I PARACAKTUAR
Në përfundim të këtij turi, fituesit do të mësojnë menjëherë kundërshtarët e ardhshëm, pasi shorti i përballjeve është i paracaktuar deri në turin e tretë, kur në garë do të futen edhe ekipet e Kategorisë Superiore. Kupa mbetet një kompeticion që shpesh ka sjellë histori të papritura dhe heronj të rinj në futbollin shqiptar. Në edicionin e kaluar, Dinamo u shpall fituese e trofeut, pasi mposhti Egnatian në një finale dramatike. Pasi koha e rregullt u mbyll 2-2, “blutë” triumfuan pas penalltive 5-4, duke ngritur lart trofeun e çmuar.
14-15 TETOR, ORA 13:30
SOT
KORABI – VELEÇIKU (C10) (Kompleksi Internacional, Pezë)
LAÇI – KËLCYRA (C2) (Fusha sportive, Ahmetaq)
NESËR
SKËNDERBEU – BASANIA (C1)
VORA – MALIQI (C3) (Fusha sportive, Ahmetaq)
FLAMURTARI – NAFTËTARI (C4) (Stadiumi Oriku)
BESA – SHKUMBINI (C5) (Fusha e vjetër, Kavajë)
BURRELI – SHIROKA (ALBANËT) (C6)
POGRADECI – DELVINA (C7)
APOLONIA – BESËLIDHJA (C8)
LUSHNJA – BUTRINTI (C9) (Fusha e Plugut)
KASTRIOTI – DEVOLLI (C11) (Qendra Kombëtare Sportive, Kamëz)
KUKËSI – TËRBUNI (C12)
VALBONA – TOMORI (C13)
ERZENI – SOPOTI (C14)
LUFTËTARI – ORIKU (C15)
ILIRIA – LUZI 2008 (C16)