Dy histori që të rikthejnë në shekullin e kaluar, me protagonistë dy sportistë, futbollistin Ylli Kruja dhe basketbollistin, legjendën Agim Fagu, të dy të “Partizanit”. Me to edhe një gjeneral, të njohur për kontributin, pasionin që kishte dhe transmetonte për sportin, Petrit Dume. Të lëna në harresë, të pa treguara, komentuara, kur dy sportistët do të udhëtojnë me avion personal, për në një ndeshje të veprimtarive kombëtare.
As Enver Hoxha e të tjerë udhëheqës komunistë të kohës, as skuadra, klube, individë nuk kanë mundur ta provojnë një alternativë të tillë, të udhëtojnë me avionë brenda territorit shqiptar, për motive pune, sporti, turizëm, nga një qytet në tjetrin. Kjo edhe për faktin se në Shqipërinë socialiste linjat interurbane nuk janë praktikuar, preferuar, ndryshe nga çdo vend tjetër i botës.
Falë një kujtese brilante të tyre, atëherë mund të bindesh për vërtetësinë e ngjarjes, unikale për kohën. Ylli Kruja, kujton për gazetën “Panorama”: “Partizani luante me Tomorrin dhe vetëm pak orë para takimit, me një kaciator të vogël kam mbërritur në Berat”. Ndërsa kolosi Agim Fagu, shprehet për gazetën “Panorama”: “Isha me provime, nuk shkova në Gjirokastër, por me një urdhër ushtarak jam nisur me një avion, vënë në dispozicion për mua”. Pa harruar sfidën e “hakmarrjes”, në basketboll atë “Partizani”-“Luftëtari”, tjetër ngjarje e rrallë.
UDHËTIMET ME AVION NË SHQIPËRI
Ndahet në dy periudha: ajo para lufte, dhe pas saj. Koha e mbretit Zog, madje edhe para tij, ka qenë tejet aktive me avionët që kanë lëvizur brenda territorit shqiptar, të njohur si linja të brendshme. Sigurisht që funksiononin edhe me ato të shteteve fqinjë. E tregon historia e aviacionit shqiptar të asaj kohe. Me avionë të vegjël, të firmave, kompanive italiane, por edhe të tjera, me shumë qytete që kishin pistat e tyre. Nga Tirana, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Kuçovë, etj.. Dhe që kanë qenë tejet të frekuentuara, e për shumë motive. Udhëtime turistike, punë, veprimtari sportive, etj.. Apo individë, grupe të vogla me njerëz, aplikonin avionët, vajtje-ardhje të përmasave të vogla. Tirana, me ish-pistën e uljes, pranë ish-klubit, Partizani apo pallatit të sportit, ka qenë kryesorja, edhe pas viteve 44. Deri me ndërtimin e aeroportit të Rinasit, të gjithë avionët e huaja aty janë ulur e ngritur. Ndërsa pistat e qyteteve tjera nuk u përdorën më, ndonëse pa një përkujdesje, por të tilla mbetën. Për t’u përdorur në raste të veçanta, si ngjarja, ajo e Ylli Krujës, edhe e Agim Fagut nuk do të përsëriten kurrë më, kur një sportist, për një ndeshje kampionati dhe brenda territorit shqiptar do të marrë rrugën me avion charter, e padëgjuar, apilkuar para dhe më pas.
“NJË KACIATOR DREJT BERATIT”
Si pak sportistë, një jetë me dy karriera: E para futbollist, më pas, arbitër i njohur futbolli. Lidhur me atë udhëtim surprizë, Ylli të flet sikur gjithçka të ketë ndodhur vetëm pak kohë më parë: “Në Berat, mbërrita pak minuta para lojës, por trajneri Spahiu nuk më aktivizoi”. Kampionati 1965-66, Ylli Kruja është lojtar, qendërmbrojtës i fuqishëm, shtatlartë, energjik i një Partizanit ku luajnë Mikel Janku, Gjikat, Pano, Jashari, Andoni, Rragami, Karriqi, Haxhiu, Shllaku, një skuadër e fortë. Trajner është Rexhep Spahiu. “Ishim në krye të renditjes, luanim me Tomorin. Ka qenë 5 dhjetor, datë që e kujtoj mirë, java e fundit e fazës së parë, skuadra u nis një ditë përpara, mua nuk më morën, pasi në ato vite nuk kishte zëvendësime gjatë lojës. Shkonin vetëm 11 lojtarë dhe tre rezerva, të cilët mund të aktivizoheshin vetëm para fillimit, dhe jo gjatë lojës. Portieri po, por me urdhër të mjekut.
E diel, paradite, në shtëpi po merresha me bahçen, kur troket dera. Dal shoh një ushtar, që më thotë, merr rrobat, eja shpejt, se do të nisesh me avion për në Berat. Mbeta, nuk e besova, jo i them, nuk mundem, nuk jam i përgatitur. Është urdhër i gjeneral, Petrit Dumes, këmbëngul ai. Në pak minuta, pa e zgjatur, mora çantën, i pa informuar mirë, si qëndronte puna, me triciklin e tij, mbërritëm te fusha e aviacionit, pranë pallatit të sportit “Partizani”, ku më priste një kaciator i vogël, dy vendesh. I hipa dhe për 20 minuta isha në Kuçovë, se aty kishte pistë avioni. Me një gaz ushtarak që kishte vënë Petrit Dume në dispozicion, mbërrita në fushën e vjetër. Një terren i rënduar, plot me ujë, shoh skuadrat që kishin dalë në nxehje. Ndeshja fillonte në orën 14.00.
Takoj trajnerin Spahiu, që u befasua kur më pa, më priste, por kishte menduar që nuk do të mbërrija”- rrëfen Kruja. Por, cila ishte arsyeja e atij urdhri, pastaj nisja me urgjencë nga ajri për në Berat? Ylli rrëfen: “Duke qenë se një ditë përpara kishte rënë shumë shi, ujërat e Osumit kishin shpërthyer, mbuluar deri edhe fushën e vjetër, drejtuesit e Partizanit të shqetësuar, të dielën në mëngjes, kur panë situatën, biseduan me trajnerin Spahiu, duke gjykuar se për atë terren duhej një futbollist shtatlartë, i fortë fizikisht, i aftë për të larguar topat, duke menduar për mua, por që ndodhesha në Tiranë. Kanë biseduar me gjeneralin dhe me urdhër të tij, u veprua siç ju thashë, u nisa me avion, pasi me mjete të tjera nuk kishte kohë, mundësi të arrija në ndeshje.
Ndërkohë, Spahiu kishte bërë formacionin, Ylli më pyeti, je gati? Krejtësisht i hutuar, jam i mpirë, nga qëndrimi në avion i them. Mirë, të shohim në pjesën e dytë. Por, nuk më aktivizoi. Arbitra ishin Shazivar Gruda, Petrit Lika dhe Tomson Neviri, më të cilët pak më vonë do t’i kisha kolegë. Pata fat, Partizani fitoi 1-0, me një gol të Lin Shllakut, dhe nuk u bë problem, pse Ylli Kruja nuk u aktivizua, të cilin e sollëm me avion, dhe nuk luajti?. Atë natë, qëndruam në një hotel në Kuçovë, të hënë në mëngjes, me autobusin e klubit, shofer Strefin jemi kthyer në Tiranë”- e mbyll Ylli Kruja ngjarjen.
NGA AVIONI PERSONAL, NË ATË QEVERITAR
Shkak sërish një ndeshje kampionati, por në basketboll për meshkuj, që do të zhvillohet në Gjirokastër, në edicionin e largët, 1967-68. Një ngjarje e rrallë, që për protagonist, ka një kolos të sportit kombëtar, Agim Fagun.
NGA HUMBJA E TITULLIT, TE HAKMARRJA E MADHE
Edicioni 1966-67, java e tretë e KK në basketboll për meshkuj. Në Gjirokastër, luhet, në terren të hapur, vendasit janë shumë të mobilizuar, nisur edhe nga fakti se Partizani nuk ka Agim Fagun, që i angazhuar me provimet universitare nuk ka udhëtuar. Ndonëse pjesa e parë do të mbyllet 30-27 për Partizanin, në 20 minutat e dyta, gjithçka do të përmbyset, dhe Luftëtari do të fitojë ngushtë, 62-56. Duke i shkaktuar Partizanit një humbje të rëndë, me pasoja që do t’i kushtojë shumë, pasi në fund të edicionit titulli kampion do të merret nga “Vllaznia”, me 33 pikë, e ndjekur Lokomotiva 32, Partizani 31.
Faza e parë edicioni 1967-68, jave e 9-të, 19 nëntor, vetëm pak muaj pas disfatës në Gjirokastër, në Tiranë, në pallatin e sportit kryeqytetas Partizani-Luftëtari. Një ndeshje më shumë se një betejë, e konsideruar si sfida e “hakmarrjes”. Partizani do të krijojë epërsi që fillim, pikët ndjekin njëratjetrën, me koshat e Fagut, që nuk do të ndalen, me shifrat që shkojnë, duke regjistruar një rekordi gjigant. Ajo që do ta shpëtojë situatën, do të jetë strategjia e aplikuar nga gjirokastritët, që për t’i shpëtuar humbjes katastrofale, nisin të shkaktojnë qëllimisht gabime personale. Minuta e 13-të, e pjesës së dytë, me rezultatin 116-32, ata do të mbesin në fushë me një lojtar dhe arbitrat kanë sinjalizuar mbylljen e ndeshjes.
DREJT JUGUT, POR NGA AJRI
Faza e dytë, 1967-68, java e parafundit, përballë Luftëtari me Partizanin, i cili kryeson renditjen dhe nuk dëshiron të të përsërisë disfatën e sezonit të kaluar. Pikërisht në prag të këtij takimi, të dielën e 28 prillit, merr udhë edhe ngjarja e pa dëgjuar. Sërish për motive shkolle, Agim Fagu nuk do të jetë me skuadrën, që si zakonisht do të shkoje një ditë përpara në Gjirokastër. I interesuar, dhe i njoftuar, për mungesën e tij, Petrit Dume do të urdhërojë nisjen e tij urgjente, duke i vënë në dispozicion, një avion. Por, si u përgatit ai udhëtim në orët e para të mëngjesit, dhe befasia për vendasit kur e panë Fagun të shfaqet në sheshin e qytetit? Pastaj takimi, që u fitua thellë 91-70 nga Partizani, për t’u shpallur kampion javën e ardhshme.
Agim Fagu: Në Gjirokastër nga qielli, urdhër i gjeneral Dumes
Nga Tirana në Gjirokastër, pastaj në Budapest. Dy udhëtime të jashtëzakonshme, për kohën, rrethanat dhe me shumë fat. Me protagonist, një emër, një histori sportive që nuk njeh kohë. “Më kanë lajmëruar të shtunën vonë, dhe të dielën herët në mëngjes ora 8 jam nisur me avion”- kujton Fagu për gazeta “Panorama”.
Fago sot
Z. Agim, nga nis kjo histori, që vërtet të befason, se si u veprua, deri e pabesueshme sot kur e dëgjon?
Ka qenë shkurt, java e tretë sezoni 1966-67, me angazhime universiteti nuk shkova në Gjirokastër. Edhe nga fakti se nuk ma morri mendja, që do të humbitnim. Arbitër kishin vënë një djalë të ri, gjimnazist nga Tepelena. U bë problem, u shqetësua i gjithë klubi, i pari Petrit Dumja. Më vrau shumë ndërgjegjja. Kampion në fund të sezonit doli Vllaznia.
Ka një ndeshje tjetër me Luftëtarin, e prisni në Tiranë.
Është ajo në Tiranë, në javën e parafundit, dhjetor, kampionati 1967-68, ku për herë të aplikohej formula, pranverë-vjeshtë. Edhe pse kishin kaluar 6 muaj, nga humbja në Gjirokastër nuk na kishte ikur inati, dhe kjo ishte ndeshja e “hakmarrjes”. Një takim që mund të përfundonte me 200 pikë, por për të shmangur humbjen e thellë, gjirokastritët shkaktonin personale të qëllimshme dhe mbetën me një lojtar. Loja u ndërpre nuk vazhdoi.
Z. Fagu, ju troket dera, një urdhër, që nuk mund të kundërshtohet.
Sërish me provimet, ato pranverore, 1968, udhëtimi i gjatë tre ditë me autobusin e klubit, nuk shkova në Gjirokastër. Pasi kishte pyetur, i informuar për mua, nisur edhe nga ndeshja e vitit të kaluar, I shqetësuar Petrit Dumja kishte dhënë urdhër që të nisesha urgjent me avion. Mbrëmja, më troket dera dhe një ushtar i ardhur nga klubi më jep njoftimin. Nuk kishte asnjë diskutim. Pranova. Të dielën, ora 8-të e mëngjesit, nga pista e aviacionit, pranë klubit “Partizani”, na priste një kaciator që nuk e kujtoj çfarë tipi, por i vogël dhe njëri nga pilotët ishte Hamit Ulqinaku, djali i Mujo Ulqinakut. Mora motrën, me ne ishte edhe basketbollisti Guxim Bekteshi. Udhëtim i qetë, pasi herët, qielli i pastër, pa xhepa, boshllëqe, ajri. Rreth 45 minuta, u ul në pistën e vjetër të Gjirokastrës, që ka shërbyer para lufte për linjat e brendshme në Shqipëri. Kishte kohë që nuk shfrytëzohej, vetëm për ndonjë lëvizje emergjente.
Një qytet në ankth, do të vijë, do të luajë Agim Fagu në Gjirokastër?
Kishin nxjerrë një “Gaz 54”, me të mbërritëm në qytet. Ndeshja ishte paradite, rreth orës 10-të. Makina ndaloi te sheshi, pranë rrapit, ngjitur me hotelin. ku ishte akomoduar skuadra. Zbrita, hodha sytë përreth, pak njerëz, por pas rrapit të fshehur më kapi syri një person. E njoha menjëherë, Xhelil Sinoymeri, një ish-skënderbegas, kishte luajtur me mua me të rinjtë, u diplomua për oficer, e caktuan në Gjirokastër. Në ato fillime u aktivizua me Luftëtarin. Kur makina mbërriti, ai nuk e priste që prej saj do të dilja unë me çantën e sportit. E kishin nxjerrë të kontrollonte, ka ardhur, a do të vijë Agim Fagu apo jo? Mendonin me ndonjë mjet, kurrë me avion. Bëra sikur nuk e pashë.
Befasi edhe për lojtarët, stafin, e papritur edhe për ta?
Në këtë kohë dalin sportistët, u gëzuan kur më panë, pasi edhe ata nuk dinin asgjë. Erdhi Gimi, u përqafuam, i tregova si kisha udhëtuar. Nuk e besonin. U nisëm me këmbë drejt fushës së lojërave. Por, ndryshe, se mund të përsëritej ai i sezonit të kaluar, këtë takim do ta luanim me dëshirën e madhe për ta fituar, me të dhe kampionatin, aty ku një vit më parë e patëm humbur.
Terren i hapur, shumë tifozë, të njohur e të panjohur për ju?
Fillon nxehja, Ndërkohë që tek një kënd i fushës qëndronte Kryetari i Degës së Brendshme. Tiranas, u takuam, nuk e njihja, vetëm kur m’u prezantua m’u kujtua, që ishte mik i familjes time. Pastaj loja, dhe menjëherë 20-4, 28-6, 35-8, diferencë e madhe që në fillim. Në një moment, jam në vijën anësore, pranë mesit të fushës, shumë afër me shkallët ku qëndronin spektatorët e shumtë, gati ngjitur, pasi e tillë ishte hapësira, me topin në duar për ta futur në lojë, kur dëgjoj një zë: O Faguuuuu, o Faguuuuu. E kisha zakon që në ndeshje nuk komunikoja me publikun, as kokën nuk ktheja, edhe në Tiranë në pallatin e sportit, ku ishin shokët, miqtë e mi, që e dija vendin ku qëndronin, pasi i kisha dhënë biletat. “O Fagauuu, o Faguuu”, përsëri ai zë. Për një çast u mendova: “Në Gjirokastër jam, ktheje kokën”, gjykova. Në majë ta shkallëve, në fund të tyre ishte një burrë. O Fag, vijoi ai kur më pa që hodha vështrimin drejt tij, – o Fag, na i lër ndeshjen, se jemi edhe kushërinj bashkë. Plasi e qeshura.
Ka shpresë nga vendasit, por është një tjetër Partizan?
Me mendimin se do të përsërisnin ashpërsinë e vitit të kaluar, por, që në fillim, nuk i toleruam, nga unë i pari, pa i hapur asnjë shteg. Në fushë nuk kam njohur, nuk kam pasur frikë për asnjë kundërshtar, vendas, apo i huaj. Kështu ishte natyra ime. Mbaroi loja, fituam thellë, u ktheva me avion, i cili ishte në dispozicion timin. Vapë, ishin krijuar xhepa ajri. Ndërsa skuadra morri rrugën me autobusin e klubit me të zakonshmin shofer Estrefin. Atë fundkampionati dolëm kampionë.
Flasim pak për Kupën e Kampioneve, 1973-74, takimi i parë, ka problem me ditën e ndeshjes?
Shorti na ra me “Çepel”. Takimi parë në atje. Në atë periudhë funksiononte avioni i linjës, “Malev”, Tiranë-Budapest, dhe vetëm një herë në javë, të martën. Ndeshja do të luhej të premten dhe nga drejtuesit e klubit, trajneri Greva, u gjykua se ishte një kohë e gjatë qëndrimi, që do t’i çorientonte lojtarët, duke ja zhvendosur përqendrimin nga ndeshja. Ata biseduan, kërkuan për një tjetër alternativë udhëtimi, sa më afër ndeshjes.
Drejt Hungarisë, me avion, por jo të linjës?
Duke qenë se me avionët e linjës ishte e pamundur, këtë shqetësim ata ja shprehën edhe Petrit Dumes, duke ja argumentuar situatën. Gjenerali ndërhyri, dhe pasi kishte komunikuar, me zyrtarë të lartë të shtetit, na njoftuan se udhëtimi drejt Budapestit do të bëhej me avionin qeveritar, i vënë në dispozicion posaçërisht për skuadrën, me aviatorët më të mirë të kohës, Babaçe Faiku dhe Hamit Ulqinakun. Tek ne lojtarët u krijua pakënaqësi, pasi dëshironin të qëndronin disa ditë më shumë jashtë shtetit, u mërzitëm.
Budapesti, një sfidë me disa befasi?
Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit “Çepel” të Budapestit, të mbushur plot. Problem ishte ora 22.30, e caktuar për luajtur, një zgjedhje e organizatorëve, jo normale, i përshtatshëm për ne. Në atë përballje u përdorën topat me ngjyra, prodhim amerikan, që për ne ishte hera e parë. Ata kishin një skuadër ku të gjithë ishin lojtarë të ekipit kombëtar. Pjesa e parë u mbyll në barazim. Rezultati ishte i diskutueshëm deri në sekondat e fundit. Gjatë ndeshjes, piloti Babace i ulur në stolin e rezervave bëhej nervoz, protestonte, duke e detyruar arbitrin jugosllav që t’i tërhiqte vëmendjen.
Ka një reagim nga ju, por janë arbitrat që ju qetësojnë…
Edhe 30-sekonda lojë, 57-57, topin e kemi ne, Sandrë Dheri gjuan nga largësia, nuk shënon. Në shtatë sekondat e mbetura, ne shkaktojmë një personal të qëllimshëm, duke e ditur se ishte i nënti. Sapo kishte dalë rregulli që kur skuadra plotëson numrin 10 të tyre, ekzekutohen dy gjuajtje të lira. Kur arbitrat e tavolinës njoftuan për gabimin e dhjetë, unë reagova. Ishte njëri prej tyre që në anglisht me tha: “Fagu ju duhet të fitoni me më shumë se me një pikë në kthim që të kualifikoheni. Dhe ashtu ndodhi. Vendasit realizuan 1 pikë, dhe 58-57 për to. Unë shënova 28 pikë. Në Tiranë fituam 78-71, me Zaçen, vendimtar në atë takim, që na siguroi kalimin e turit. Për mua ishte hera e dytë, kur pas Gjirokastrës ku u shpallëm kampionë, në Budapest, ku projektuam kualifikimin e parë historik për një klub shqiptar në kupat e Europës, në të dyja rastet, udhëtimi me avion, rezultoi me shumë fat.
Z. Fagu, për ta mbyllur keni edhe një rast tjetër unikal, me ju protagonist, kur ngjet ajo që nuk ishte parë asnjëherë në fushat tona sportive?
Ka qenë korrik, 1968, 25-vjetori i themelimit të ushtrisë, në Tiranë organizohet një turne me katër ekipe, “Partizani”, “17 Nëntori”, “Vllaznia” e “Studenti”. Luajmë ndaj 17 Nëntorit. Edhe tre sekonda 63-61 për 17 Nëntorin. Topi për ne, unë bëra autokosh me qëllim që të barazohej rezultati dhe të krijohej mundësia të vazhdonte ndeshja, mbasi ekipit tonë për të zënë vendin e parë i duhej një fitore me më shumë se 8 pikë. Pas gjysmë ore diskutime, sepse një veprim i tillë teknik nuk kishte ndodhur me parë dhe arbitrat e lojës, ata të tavolinës nuk dinin si të vepronin. Në sekondat e mbetura, loja rifilloi me lojtarët e “17 Nëntorit” që edhe ata tentuan të shënonin autokosh, por nuk mundën. Në kohën shtesës prej 5 minutash, me 6 pikë diferencë, 76-70, Tirana fitoi ndeshjen dhe trofeun.