Kryeministri në largim Albin Kurti ka shkuar pa paralajmërim sot në Mitrovicën e Jugut ku ka takuar kryetarin e kësaj komune Bedri Hamzën. Edhe pse merret vesh se aty shkoi për çështje të natyrës administrative, duke heshtur për arsyen e vizitës Kurti si duket deshi të çojë edhe mesazh tjetër
Fakti që Bedri Hamza në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë kandidat i kësaj partie për Kryeministër dhe në kohën kur vendi po përballet me krizë politike (janë bërë 29 përpjekje për konstituimin e Kuvendit), ka zgjuar interesim dhe kureshtje në opinion.
Kryeministri në largim, në stilin e tij është kujdesur ta bëjë më “mistike” vizitën duke hyrë në objektin komunal të Mitrovicës së Jugut pa dhënë ndonjë deklarata për gazetarët që kanë kishin shkuar atje.
Pas përfundimit po ashtu as ai e as Hamza nuk kanë bërë ndonjë deklaratë për media. Kurti është shoqëruar nga Elbert Kraniqi Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Por, paraprakisht Kurti ka qëndruar edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut ku ka takuar kryetarin Erden Atiq.
Takimi i Kurtit me dy kryetarët e këtyre dy komunave ka të bëjë me themelimin e bordit të përbashkët për komunat e Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore, të cilin Marti Ahtisaari e kishte paraparë për këto dy komuna.
Rreth 20 ditë më parë Kurti dhe Hamza ishin parë bashkë në finalen e basketbollit ndërmjet Trepcës dhe Bashkimit. Por, pavarësisht këtyre dy takimeve raportet mes dy partive VV’së dhe PDK’së janë të acaruara.
Vetëvendosje ka shfaqur haptas qëllime për t’i futur në koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Nismën e Fatmir Limajt ndërsa kanë deklaruar se PDK duhet të “reformohet” edhe më tej.
Si duket Kurti duke shkuar në zyrën e Hamzës në Mitrovicë në ditën kur ndodhi dështimi i 29 i konstituimit të Kuvendit, pavarësisht qëndrimeve ndaj kësaj PDK’së deshi të çojë edhe mesazh tjetër. Me gjasë duke synuar ta “amortizojë” faktin që PDK është bartëse dhe ofertuese e idesë për formimin e një qeverie nga partitë e “opozitës së djeshme” pra, PDK, LDK, AAK e NISMA.