Klodian Braho ka lindur më 21 korrik 1982 në Skrapar. Karriera e tij në sistemin e drejtësisë nis pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë (2000–2004) dhe më pas Shkollën e Magjistraturës.
Ai u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë profesional që e ka çuar në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Deri në vitin 2012, Braho shërbeu si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite të tjera më pas, ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit (2014–2015). Karriera e tij do të marrë një kthesë me emërimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Katër vitet e punës në këtë Prokurori dhe kalimi pa pengesa i procesit të rivlerësimit (Vetting) do t’i hapin dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ai bëhet pjesë që në ditën e themelimit.
Aktualisht ai mban detyrën e shefit të Seksionit kundër Korrupsionit, ndërsa ka fituar reputacion për profesionalizmin dhe përfshirjen e tij në disa nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Në punën e tij si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në duar çështje me një ndikim të gjerë publik. Ai është prokurori që hetoi rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke lëshuar urdhër-arrest për persona kyç si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe duke veçuar hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Po ashtu, ai ka udhëhequr hetimin e dosjes “5D”, ku në gjyq përfunduan ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër çështje e rëndësishme e ndjekur prej tij është dosja “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe persona të drejtësisë.
Braho është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën proces gjyqësor për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit.
Braho konsiderohet si një nga prokurorët me një eksperiencë të gjerë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.