Me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kushtetueses që pezulloi dekretin për zgjedhjet në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërprerë të gjitha përgatitjet. Ishte vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi që në një konferencë për mediat sqaroi se përgatitjet për zgjedhjet e Tiranës do të jenë të pezulluara deri kur Kushtetuesja të dalë me një vendim për ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Celibashi theksoi se në asnjë rast, zgjedhjet e Tiranës nuk mund të zhvillohen më 9 nëntor dhe puna përgatitore për procesion zgjedhor po vijon vetëm për 5 bahskitë e tjera që do të zgjedhin kryetarin e ri, Vlora, Tepelena, Berati, Mati dhe Cërriku.
“Në zbatim të vendimit të Kushtetueses, që dje KQZ ka ndërprerë dhe pezulluar përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor në Tiranë dhe vazhdon normalisht për 5 bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ, i cili lidhet me përgatitjet e zgjedhjeve për Tiranën është pezulluar që ditën e djeshme. Me datë 9nëntor, është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera, përjashto Tiranën, pra për Vlorën, Tepelenën, Cërrikun, Beratin dhe Matin”, theksoi Celibashi.
Për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi, Celibashi tha se KQZ po respekton vendimin e Kushtetueses, pasi do ishin në shkelje të ligjit nëse do të vijonin me përgatitjet, duke theksuar se do të presin vendimin e Kushtetueses për Veliajn.
“Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të Presidentit është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar Gjykata. Dhe do të ishim në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitur të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të Kushtetueses do të duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim. KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, është çështje e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendin për shkarkimin e tij. KQZ nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor për shkak të urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Celibashi.
Por, çfarë mund të ndodhë më zgjedhjet e Tiranës nëse Kushtetuesja del me një vendim të formës së prerë për Veliajn në seancën që do të mbahet më 31 tetor? Celibashi përgjigjet kështu.
“Kushtetuesja ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje, mund të jetë vendim përfundimtar me datë 31, 1, 2 këtë nuk e dimë. Në çdo lloj versioni, qoftë KQZ, Këshilli i Ministrave apo Presidenti, do të shohin nëse do ketë vend për të marrë ndonjë veprim të caktuar, as nuk më lejohet as nuk do preferoja të flisja se çfarë, në një situatë hipotetike, do duhej të bënte Presidenti apo Këshilli i Ministrave”, tha Celibashi.
I sigurt Celibashi thotë se me datë 9 nëntor zgjedhje në Tiranë nuk do të ketë.
“Zhvillimi i procesit zgjedhor për Tiranën në datën 9 është thuajse i pamundur. Se çfarë angazhon pas datës 31 nëse Gjykata Kushtetuese vendos më 31, ky vendim për KQZ, për Këshillin e Ministrave apo Presidentin këtë nuk di ta them”, tha Celibashi.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Erion Veliajt dhe pezulloi dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë. Gjykata argumenton se zbatimi i dekretit do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e të zgjedhurit vendor për sa kohë çështja gjyqësore ndaj tij është ende në shqyrtim. Ky vendim unanim i Kushtetueses, nuk prek 5 bashkitë e tjera, të cilat do të mbajnë zgjedhje siç ishte planifikuar.
Me vendimin e Kushtetueses, që u botua dhe në Fletoren Zyrtare, KQZ nuk mund të vijojë me përgatitjet për garën e kryeqytetit: as të regjistrojë partitë, as të regjistrojë koalicionet apo kandidatët, as të ngrejë komisionet e votimit, as të përcaktojë QV, as modelin e fletë së votimit dhe as ta printojë.