Presidenti Bajram Begaj ka përgjigjur në lidhje me pezullimin nga Gjykata Kushtetuese të dekretit për zgjedhjet e Tiranës më 9 nëntor. Begaj thotë se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por thekson se nuk është penduar edhe pse nxori dekretin pa pritur vendimin e Gjykatës për ankimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Gazetarja: Gjykata Kushtetuese, pezulloi dekretin tuaj për zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, çfarë komenti keni për këtë vendim?
Begaj: Mendimi ynë është që respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gazetarja: A jeni penduar ju që i dekretuat zgjedhjet pa pritur shqyrtimin në Kushtetuese të ankimimit të Erion Veliajt?
Begaj: Pse, pse duhet të pendohem për një akt që duhet ta nxjerr unë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhënë një ditë më parë erdhi pas ankimimit të bërë nga Erion Veliaj që dekreti të shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi në bashkinë e Tiranës. Më 31 tetor, gjykata pritet që të shqyrtojë edhe ankimimin për shkarkimin nga detyra të Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.
Sot në një konferencë për mediat, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se KQZ ka ndërprerë çdo përgatitje për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës pas vendimit të Kushtetueses, dhe tha se edhe nëse gjykata do të shprehet më 31 tetor për shkarkimin e Veliajt, është e pamundur që të bëhen përgatitjet e procesit zgjedhor deri më 9 nëntor.
Pasi Këshilli i Ministrave shkarkoi Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës me propozim të Këshillit Bashkiak me argumentin për mosparaqitje në detyrë për tre muaj, nisi një debat ligjor dhe institucional. Veliaj e kundërshtoi vendimin duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se shkarkimi ishte i paligjshëm dhe se mungesa e tij ishte për shkak të paraburgimit, pra një pamundësi objektive. Pavarësisht kësaj, qeveria iu drejtua presidenti Bajram Begaj për vakancën e Tiranës dhe për 5 bashkitë e tjera. Brenda 48 orëve, presidenti nxori dekretin për zgjedhjet e parakohshme për bashkitë pa kryetarë, përfshirë edhe Tiranën, duke e konsideruar shkarkimin çështje administrative.
Avokatët e Veliajt u vunë menjëherë në lëvizje dhe të nesërmen, bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm në Kushtetuese, duke kërkuar edhe shpalljen antikushtetues të dekretit të presidentit. Kushtetuesja, megjithatë, pranoi ankimimin e Veliajt dhe pezulloi dekretin e presidentit, duke ndërprerë procesin zgjedhor derisa të jepet një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e shkarkimit të tij.