Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duket se i ka patur duart e lidhura për të realizuar në kohë përzgjedhjen e kandidatëve që konkurrojnë për të marrë mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke pasuar kryetaren, Holta Zaçaj.
Procesi u hap në dhjetor 2024. Për Report TV Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpjegon se pengesë është bërë procesi i verifikimit, i cili përfshin disa institucione të tjera që i sjellin KED-së informacione. Kontrolli i pasurisë nga ILDKPKI ka përfunduar në fund të majit, ndërsa vetëm në korrik, kur anëtarëve u kaluar gjysma e mandatit, ata u pajisën me certifikatat e sigurisë, pa folur për kandidatë që kanë kundërshtuar në rrugë gjyqësore disa prej vendimeve të KED.
Verifikimi përfshin:
• mbledhjen e informacionit nga një numër i madh institucionesh (ILDKPKI, Prokuroria, Policia e Shtetit, KLGJ, KLP, AKSIK, etj.), që shpesh kërkon kohë shtesë;
• kontrollin e pasurisë, figurës dhe integritetit profesional, një proces i ngjashëm me vetingun e magjistratëve, ku raportet e ILDKPKI iu përcollën KED vetëm në fund të majit;
• komunikimin me kandidatët, të cilët në disa raste kanë kërkuar shtyrje afatesh ose kanë dorëzuar dokumente shtesë;
• procedurat gjyqësore për kundërshtimin e disa vendimeve të KED në Gjykatën Administrative të Apelit;
• pajisjen e anëtarëve të KED me certifikatat e sigurisë personale nga AKSIK, proces i përfunduar vetëm në korrik 2025.
Këshilli thotë se praktikisht është futur në lojë vetëm në muajt qershor e korrik, pas ardhjes së dokumentacionit nga organet përkatëse, dhe më 4 shtator 2025 do të zhvillojë mbledhjen për përmbylljen e verifikimit të kandidaturës së fundit për vakancën që i takon Gjykatës së Lartë. Vetëm pas kësaj faze bëhet e mundur renditja përfundimtare e kandidatëve. Moment që shënon hallkën e fundit, përpara se lista t’i shkojë organit të emërtesës.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është i vetëdijshëm për rëndësinë e respektimit të afateve, por thekson se respektimi i standardeve kushtetuese, objektiviteti dhe verifikimi i thelluar janë parime themelore që nuk mund të sakrifikohen në funksion të shpejtësisë procedurale”, thuhet në reagim.
Por situata e paraqitur nga KED mund t’i japë një zgjedhje brenda këtij viti vetëm njërës prej 3 tre vendeve që duhet të rifreskoheshin gjatë 2025-ës, atij që lidhet me mandatin e përfunduar të Holta Zaçajt.
Për mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja, Gjykata hapi një proces më vete, pas kërkesës së bërë nga Kreu i Shtetit. Ndonëse rasti i përket fillimit të vitit, seanca është parashikuar më 16 tetor.
Në pritje të këtij vendimi, edhe parlamenti, që vendosi të mos rrezikojë të gabojë për herë të dytë, dhe shmangu hapjen e një thirrjeje të re, për zëvendësimin e Elsa Toskës, karrigia e së cilës po qëndron bosh, prej shtatorit të vitit të shkuar.
Përgjigjja e plotë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) për Report Tv
Në vijim të interesimit tuaj mbi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe pyetjeve të parashtruara, sqarojmë sa vijon:
Ligji parashikon që vakancat për Gjykatën Kushtetuese të shpallen jo më vonë se 4 muaj para përfundimit të mandatit, në mënyrë që procesi të nisë në kohë dhe të garantohet vijueshmëria e gjykatës. Ky afat është respektuar nga organet e emërtesës, të cilat shpallën thirrjet për kandidatura në shtator dhe dhjetor 2024.
Pas konstituimit më 15 janar 2025, Këshilli ka zhvilluar mbledhje të rregullta për verifikimin e kushteve ligjore dhe kritereve profesionale për 10 kandidatë për vakancën e shpallur nga Kuvendi dhe për 13 kandidatë për vakancën e shpallur nga Gjykata e Lartë. Për këta kandidatë janë marrë vendimet përkatëse për lejimin ose moslejimin në vijimin e garës. Në rastin e vakancës së Kuvendit, për shkak të skualifikimit të disa kandidaturave, numri ra nën minimumin e kërkuar prej 3 kandidatësh. Për këtë arsye, me Vendimin nr. 13, datë 29.05.2025, KED pezulloi procedurën deri në rishpalljen e thirrjes nga Kuvendi dhe është aktualisht në pritje të vendimmarrjes së organit të emërtesës.
Sa i përket procesit për zëvendësimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, i hapur në dhjetor 2024, procedura nuk është përmbyllur ende për shkak të natyrës së fazës së parë të verifikimit, e cila është më e gjatë dhe komplekse. Kjo fazë përfshin:
• mbledhjen e informacionit nga një numër i madh institucionesh (ILDKPKI, Prokuroria, Policia e Shtetit, KLGJ, KLP, AKSIK, etj.), që shpesh kërkon kohë shtesë;
• kontrollin e pasurisë, figurës dhe integritetit profesional, një proces i ngjashëm me vetingun e magjistratëve, ku raportet e ILDKPKI iu përcollën KED vetëm në fund të majit;
• komunikimin me kandidatët, të cilët në disa raste kanë kërkuar shtyrje afatesh ose kanë dorëzuar dokumente shtesë;
• procedurat gjyqësore për kundërshtimin e disa vendimeve të KED në Gjykatën Administrative të Apelit;
• pajisjen e anëtarëve të KED me certifikatat e sigurisë personale nga AKSIK, proces i përfunduar vetëm në korrik 2025.
Pra, vetëm në dy muaj (qershor-korrik), pas ardhjes së dokumentacionit nga organet përkatëse, Këshilli ka përmbyllur me sukses fazën e verifikimit të kandidatëve. Aktualisht, Këshilli ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kandidaturave dhe më 4 shtator 2025 do të zhvillojë mbledhjen për përmbylljen e verifikimit të kandidaturës së fundit për vakancën që i takon Gjykatës së Lartë. Vetëm pas kësaj faze bëhet e mundur renditja përfundimtare e kandidatëve.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është i vetëdijshëm për rëndësinë e respektimit të afateve, por thekson se respektimi i standardeve kushtetuese, objektiviteti dhe verifikimi i thelluar janë parime themelore që nuk mund të sakrifikohen në funksion të shpejtësisë procedurale. Faktorë objektivë jashtë kontrollit të KED, si ritmi i përgjigjeve nga institucionet, nevoja për informacion shtesë, komunikimi me kandidatët, procedurat gjyqësore dhe mungesa e kandidaturave të mjaftueshme, ndikojnë në zgjatjen e procesit përtej afateve të parashikuara.
Megjithatë, KED mbetet i angazhuar për të garantuar një proces të ligjshëm, transparent dhe të besueshëm, duke ushtruar me integritet funksionin e tij kushtetues dhe duke siguruar komunikim të vazhdueshëm publik mbi ecurinë e procedurave.