Institucionet e pavarura do ta kalojnë qetë qershorin dhe korrikun, pasi ata nuk do të paraqiten në Kuvend për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024.


Ky raportim vjetor duhet të ishte bërë në pranverë, por deputetët ishin në fushatë, e tani pas saj, shumica janë të zhgënjyer që nuk do të jenë në Kuvendin e ri e kanë braktisur detyrat kushtetuese në fund të mandatit.

Kjo ka bërë që mazhoranca socialiste të ndryshojë planin e punës së Kuvendit, dhe të shtyjë raportimin e institucioneve të pavarura, për në shtator, kur të betohen dhe fillojnë nga puna, deputetët e rinj

 

Kështu, psh, autoriteti me vëmendjen më të lartë, SPAK, nuk do të raportojë në komisionin e ligjeve më 24 qershor, siç ishte parashikuar në kalendar. Report TV ka mësuar se edhe Altin Dumani, si drejtuesit e tjerë të institucioneve të pavarura, do të thirret në shtator.

Nëse do të vinte tani, drejtuesi i prokurorisë së posaçme do të duhet të paraqitej në Komisionin e Ligjeve, kryetarja e së cilit, Klotilda Bushka është nën hetim nga SPAK, dhe nuk është e vetmja.

Listës nën rrjetën e SPAK i bashkohen të majtë e të djathtë: nga Plarent Ndreca, Damian Gjiknuri, Olta Xhçka tek Fatmir Mediu, Asllan Dogjani e Monika Kryemadhi.

Kalendari i punimeve të Kuvendit parashikon edhe dy seanca të tjera, një më 26 qershor e një të fundit më 3 korrik, dhe në asnjërën prej tyre nuk është parashikuar raportim i krerëve të institucioneve apo miratimi i rezolutave për ta.

Pas zgjedhjeve, komisionet parlamentare dhe seanca plenare kanë pasur vështirësi për të zhvilluar mbledhje për shkak të mungesës së deputetëve, sidomos të atyre që pas 11 majit kuptuan se nuk do të jenë më deputetë në 4-vjeçarin e ardhshëm.

Më shumë se gjysmën e sallës, 82 deputetë aktualë nuk do të rikthehen më në shtator: 45 PS, 34 PD dhe 3 PSD.