Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme plenare miratoi Deklaratën për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike për anëtarë të këshillave komunale dhe kryetarë të komunave dhe të Qytetit të Shkupit. Kjo deklaratë është e para e llojit të tillë që miratohet në Kuvend.
Me këtë veprim historik, siç bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit, Kuvendi riafirmon unitetin e tij jopartiak dhe përkushtimin për garantimin e standardeve demokratike dhe europiane në procesin zgjedhor, duke ofruar mbështetje të plotë për institucionet përgjegjëse, për monitorimin e pavarur dhe për një fushatë zgjedhore të qetë e të barabartë.
Deklarata thekson rëndësinë e respektimit të ligjit, të drejtave dhe lirive themelore, si dhe dënimin e gjuhës së urrejtjes, dhunës, korrupsionit dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore. Gjithashtu, theksohet rëndësia e tolerancës politike dhe respektit midis opsioneve të ndryshme politike, si dhe roli i mediave për të siguruar një atmosferë pozitive të procesit zgjedhor përmes promovimit të barabartë të kandidatëve, ideve dhe platformave të tyre.
Kuvendi, si përfaqësues i qytetarëve dhe ruajtës i unitetit, dërgon mesazhin se zgjedhjet e 19 tetorit duhet të jenë një provë e pjekurisë politike dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë dhe institucioneve tona.