Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, një paketë të re ndryshimesh në Kodin Rrugor. Nisma, e propozuar nga deputetët socialistë, synon forcimin e sigurisë në rrugë dhe uljen e aksidenteve përmes ashpërsimit të masave ndëshkuese.
Masat për alkoolin dhe heqja e lejes së drejtimit
Ndryshimet ligjore parashikojnë masa ekstreme për drejtimin e mjetit nën efektin e pijeve alkoolike. Sipas përcaktimeve të reja, shoferët e rinj nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli gjatë dy viteve të para pas pajisjes me leje drejtimi, duke fiksuar normën e lejuar në 0.0%.
Për drejtuesit e tjerë të mjeteve aplikohet heqja e përjetshme e lejes së drejtimit në rastet e përsëritjes së shkeljes. Konkretisht, heqja e përhershme e patentës do të zbatohet për shoferët përsëritës që kapen duke drejtuar automjetin me nivel alkooli mbi 0.5 gr/l në gjak.
Kufizime për shoferët e rinj dhe drejtimin pa patentë
Paketa vendos kufizime të posaçme për personat që janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë “B” brenda 24 muajve të fundit. Për këtë kategori janë përcaktuar rregulla strikte qarkullimi:
- Kufizim i shpejtësisë maksimale deri në 90 km/orë në autostrada.
- Ndalim i qarkullimit nga ora 00:00 deri në 06:00, pa praninë e një shoqëruesi me të paktën 3 vite eksperiencë.
Mosrespektimi i këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse shkeljet përsëriten dy herë brenda vitit dhe shoferi humbet të paktën 10 pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me një vit tjetër.
Sanksione të ashpra janë parashikuar edhe për drejtimin e mjetit pa leje drejtimi. Përveç përgjegjësisë penale, atyre që konstatohen pa patentë do t’u shtyhet me një vit e drejta për t’u pajisur me të pranë autoshkollave. Për të miturit, kjo e drejtë do të shtyhet me dy vite nga momenti i lindjes së saj sipas ligjit.
Sjellja agresive, gjobat dhe përdorimi i telefonit
Ndryshimet klasifikojnë si shkelje të rënda manovrat agresive në rrugë, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në qarkullim, veçanërisht në zonat urbane.
Paralelisht, është miratuar rritja e masave administrative për disa kategori shkeljesh rrugore, ku gjobat rriten nga “10 mijë deri në 40 mijë lekë” në “20 mijë deri në 60 mijë lekë”.
Një tjetër specifikim i rëndësishëm i Kodit të ri Rrugor është ndalimi i përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit. Amendamentet ndalojnë përdorimin e telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm për shoferët e automjeteve, por edhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave elektrike dhe motomjeteve me kapacitet deri në 50 cc.