Ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur nga kryetari Dimal Basha. Ajo është bojkotuar nga nënkryetarët që vijnë nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.
Në takim, përpos Bashës të hënën, mori pjesë nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nënkryetarja Emilja Rexhepi si përfaqësuese e komuniteteve pakicë joserbe.
Basha ka thënë se që nga e shtuna Kuvendi është i konstituuar dhe se Kryesia e ka kuorumin e mjaftueshëm për të funksionuar, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb.
Sipas tij, pika e katërt e rendit të ditës së seancës konstituive, ajo e zgjedhjes së nënkryetarëve, është konsumuar, pasi siç ka thënë të gjithë deputetët nga komuniteti serb i janë nënshtruar nga tri herë votimit për nënkryetar.
“Për mua ka qenë e rëndësishme, ose të bllokojmë shtetin ose të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit ku i kemi pesë anëtarë në kryesi dhe të vazhdojë rrjedhja e afateve me caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç e presin qytetarët por kemi edhe trysni dhe kërkesa edhe nga miqtë ndërkombëtar që të vazhdojë puna e Kuvendit”, ka thënë Basha.
Ai ka thënë se do të përpiqet t’i bindë nënkryetarët nga PDK-ja e LDK-ja, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, që të marrin pjesë në mbledhjet e ardhshme të kryesisë.
“Unë mendoj dhe besoj thellë që edhe nënkryetarët, zonja Çitaku dhe zotëri Shala e kanë shumë më të rëndësishme funksionalizimin e shtetit se mos zgjedhjen e një nënkryetari. Mendoj që qëllimin e kemi të përbashkët por duhet të vazhdojmë diskutimet”, ka thënë Basha.
Të shtunën, pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Basha shpalli të konstituuar këtë institucion.
PDK-ja dhe LDK-ja patën paralajmëruar bojkot të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke thënë se procesi i konstituimit i nisur qysh më 15 prill nuk është përmbyllur ende.
E pas dështimit të mbledhjes, këto dy parti kanë akuzuar partinë fituese – Vetëvendosje – se po vazhdon ta shkelë Kushtetutën, sipas tyre.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kuvendi i Kosovës konstituohet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve të tij, pa lënë hapësirë për interpretime apo shmangie procedurale.
“Mbajtja e mbledhjes së sotme të Kryesisë, në mungesë të një nënkryetari, është akt i hapur jokushtetues dhe bie ndesh me standardet ligjore dhe institucionale të vendit”, ka shkruar Deliu-Kodra.
E deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se me muaj të tërë Vetëvendosje e ka shkelur Kushtetutën.
Sipas saj, ngjashëm ndodhi edhe të shtunën, kur kryeparlamentari Basha shpalli Kuvendin të konstituuar.
“Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit, ajo seancë në të cilën pa u kompletuar kryesia është shpallur Kuvendi i konstituuar. Ne jemi për kosntituim kushtetues të Kuvendit, jo sipas qejfit të dikujt”, ka thënë ajo.
Zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka dështuar pasi kryeparlamentari Basha, me kërkesë të komuniteteve joserbe, vendosi që votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve pakicë të bëhej ndaras.
LDK-ja, edhe pse votoi për nënkryetarin e komuniteteve joserbe, refuzoi më pas të merrte pjesë në votim për nënkryetarin nga komuniteti serb, me arsyetimin se po bëhet shkelje kushtetuese.
E deputetët e PDK-së në të dy proceset kanë abstenuar, pasi sipas tyre, ndarja e votimit pëbën shkelje kushtetuese.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Pika 3, ajo për zgjedhjen e kryetarit ka marrë më së shumti kohë. Është dashur të bëhen mbi 50 përpjekje dhe të merren dy vendme nga Gjykata Kushtetuese, që kryetari të zgjidhet. Pika e katërt, ka të bëjë më zgjedhjen e nënkryetarë