Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike njoftoi sot rishpalljen nga Kuvendi të procedurës së aplikimit për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e krijuar pas përfundimit të mandatit të ish-gjyqtares Elsa Toska në vitin 2025.
Relatori i çështjes, deputeti Olsi Komici, bëri të ditur se në thirrjen e parë për këtë pozicion shprehën interes 10 kandidatë. Lista u përcoll më pas në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), së bashku me dokumentacionin përkatës, për verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale.
Sipas njoftimit zyrtar të KED, pas procesit të verifikimit kanë mbetur në garë vetëm dy kandidatë: Naureda Llagami dhe Roland Ilia, ndërsa 8 kandidatë të tjerë janë skualifikuar për mungesë të kushteve të kërkuara nga ligji.
KED sqaroi se, në kushtet kur numri i kandidatëve bie nën tre, institucioni nuk mund të vijojë me renditjen dhe vlerësimin përfundimtar, ndaj ka vendosur pezullimin e procedurës dhe ka njoftuar Kuvendin për rishpalljen e thirrjes.
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, theksoi se vakanca i takon Kuvendit dhe se procesi lidhet drejtpërdrejt me mekanizmin kushtetues të rinovimit të mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai sqaron se, sipas Kushtetutës, mandati i Elsa Toskës përfundon në vitin 2025, dhe Kuvendi duhet të plotësojë menjëherë vendin me një anëtar të ri me mandat të plotë.
Për këtë arsye, Kuvendi po hap sërish procedurën, duke vendosur 20 ditë afat që kandidatët të shprehin interesin e tyre.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kritikoi mekanizmin e rotacionit të mandateve të parashikuar në reformën kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “dështim që nuk u rregullua kurrë si duhet”.
Ai akuzoi mazhorancën se po ndërmerr veprime që, sipas tij, synojnë “kapjen e Gjykatës Kushtetuese”, duke përmendur edhe vendime të mëparshme të vetë Gjykatës që, sipas tij, “i kanë hapur rrugë këtij objektivi”.
“Qëndrimi në detyrë është parimi kryesor i organeve kushtetuese, jo rotacioni”, theksoi ai.
Me rishpalljen e thirrjes, procesi për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese pritet të vijojë në javët në vijim, ndërsa pritet që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar nga Kuvendi.