Kuvendi do të nisë sot, në orën 10:00, një seancë parlamentare dy ditore për të shqyrtuar paketën fiskale dhe projekt buxhetin e 2026-ës. Kjo është paketa ligjore më e rëndësishme e vitit, që vjen së bashku me atë që quhet paqja fiskale, dhe falja e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.
Opozita e ka kundërshtuar paketën fiskale, duke thënë se ajo ka ardhur vonë në Kuvend dhe nuk ka kohë në dispozicion për një shqyrtim serioz. Projekt buxheti i vitit 2026 është 8.8 miliardë euro, dhe shoqërohet me 8 projektligje si paketë fiskale, që u diskutua në komisione parlamentare me procedurë të përshpejtuar.
Deputetët do të diskutojnë në parim për 8 projektligjet që përfshin buxheti, pesë prej të cilave janë aktualisht në fuqi dhe ndryshojnë, ndërsa 3 janë projektligje të reja.
Në rend dite janë:
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat””. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”. (Shqyrtimi në parim)