Një tërmet shkatërrues me magnitudë 8.8 goditi mëngjesin e sotëm gadishullin Kamçatka në Lindjen e Largët të Rusisë, duke shkaktuar paralajmërime për cunami në të gjithë Oqeanin Paqësor. Valët e para të cunamit kanë filluar tashmë të godasin brigjet amerikane, përfshirë Hawaiin, Alaskën dhe Kaliforninë. Sipas të dhënave, ky tërmet është ndër gjashtë më të fuqishmit të regjistruar ndonjëherë në historinë moderne.
Autoritetet japin alarmin: Evakuoni menjëherë zonat bregdetare
Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, paralajmëroi qytetarët që të largohen menjëherë nga zonat bregdetare dhe të zhvendosen në terrene më të larta. “Nuk do të godasë vetëm një plazh, por do të përfshijë të gjitha ishujt,” deklaroi ai. Në Honolulu, sirenat janë aktivizuar ndërsa marina po evakuohet nga anijet. Video të siguruara nga banorët tregojnë makina dhe varka duke u larguar me shpejtësi nga zona e rrezikut.
Valët përhapen në Paqësor – miliona njerëz në alarm
Përveç Hawaiit, cunami ka prekur gjithashtu bregdetin verior të Kalifornisë, ku janë raportuar valë mbi 30 cm në qytetin Crescent City, një zonë e ndjeshme për shkak të gjeografisë nënujore që përforcon energjinë e valëve. Autoritetet kanë shpallur alarme për cunami në pjesën më të madhe të bregut perëndimor të SHBA-së.
Në Rusi, në qytetin Severo-Kurilsk afër epiqendrës, janë raportuar dëme të konsiderueshme me barka të shkulura dhe kontejnerë të tërhequr nga valët. Japonia ka urdhëruar evakuimin e mbi 1.9 milionë banorëve në pjesën veriore dhe lindore të vendit, ndërsa valët kanë arritur ishullin Hokaido.
Në Guam, një territor amerikan në Paqësor, janë regjistruar valë deri në një metër, ndërkohë që autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë larg ujit, pasi valët pritet të vazhdojnë edhe për disa orë, ndonëse me intensitet më të ulët.
Ndërhyrja e Forcave të Armatosura dhe pezullimi i fluturimeve
Ushtria amerikane në Hawa’i ka ndihmuar në evakuimet dhe ka liruar një kalim emergjent në bregun perëndimor të Oahu-t për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve. Të gjitha aeroportet në Hawa’i pezulluan fluturimet përkohësisht, por Hawaiian Airlines ka rifilluar operacionet, ndërsa Alaska Airlines njoftoi se do t’i rinisë ato mëngjesin e së mërkurës. Rreth 200 pasagjerë mbetën të strehuar brenda terminalit të aeroportit të Maui-t natën e kaluar.
Cunami përhapet përtej Paqësorit – alarme në shumë vende
Përveç SHBA-së, paralajmërime për cunami janë lëshuar edhe në Filipine, Japoni, Indonezi, Kinë, Tajvan, Kili, Peru, Meksikë dhe Panama. Valët janë përhapur nëpër Paqësor, duke kaluar edhe Vijën Ndërkombëtare të Datës, gjë që bëri që disa vende t’i përjetojnë efektet e cunamit në një datë më të hershme sesa momenti i tërmetit, në kuptimin kalendarik.
Pritet që situata të evoluojë në orët në vijim. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve në zonat bregdetare të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë në gatishmëri.