Sipas KQZ-së, deri në ora 17:00 kanë votuar 38.01% apo 759 mijë e 877 qytetarë.
Këto të dhëna janë nga 2494 vendvotime të procesuara nga 2557 sa janë gjithsej.
Të drejtë vote në Kosovë kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.
Deri në ora 17:00, kjo është komuna me daljen më të madhe të qytetarëve në votime
Nga të dhënat e KQZ-së, Komuna e Mamushës qëndron e para me daljen më të madhe të qytetarëve në votime.
Në këtë komunë nga 4,683 qytetarë sa kanë të drejtë vote, 2681 prej tyre e kanë shfrytëzuar atë, apo 57.25%.
Në vend të dytë del të jetë Zveçani me një pjesëmarrje në votime prej 53.25%, ndërsa në vend të tretë renditet Ranillugu me 52.20%.
Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.
Kaq qytetarë kanë votuar në Prishtinë deri në ora 17:00
Sipas të dhënave të fundit, nga përditësimi i orës 17:00, KQZ bën të ditur se në Prishtinë kanë votuar 45.56% apo 100 mijë e 8 qytetarë, shkruan Reporteri.net.
Këto të dhëna janë nga përditësimi i 261 vendvotimeve të procesuara nga 262 sa janë gjithsej.
Në këtë komunë të drejtë vote kanë 219 mijë e 516 qytetarë.
Derisa në tërë Kosovën të drejtë vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.
KQZ publikon të dhënat, kaq qytetarë deri tani kanë votuar në Prishtinë
Në faqen zyrtare të KQZ-së, nga përditësimi i fundit i orës 16:54, në Prishtinë kanë votuar deri tani 77 mijë e 451 qytetarë apo 35.28%.
Në këtë komunë, të drejtë vote kanë 219 mijë e 516 qytetarë.
Derisa nga përditësimi i bërë, në gjithë Kosovën të drejtën e votës e kanë ushtruar 584 mijë e 276 qytetarë.
Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.
Këto janë pesë komunat me daljen më të madhe të qytetarëve në votime deri tani
28 dhjetori po shënon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Aktualisht, nga përditësimi i fundit që është bërë në faqen zyrtare të KQZ-së, deri tani kanë votuar mbi 583 mijë qytetarë.
Në bazë të komunave, pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve në votime deri tani e ka ajo e Zveçanit me 46.11%.
2. Ranillug 43.78%
3.Novobërdë 42.19%
4.Zubin Potok 41.69%
5.Mamushë 39.31%.
Përditësohen të dhënat, deri tani kanë votuar mbi 583 mijë qytetarë
Në Kosovë po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Deri në përditësimin e fundit të orës 16:44, kanë votuar 29.18% e qytetarëve.
Nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë me të drejtë vote, në këto zgjedhje deri tani kanë dalë 583 mijë e 302 qytetarë për të votuar.
Kryetarja e Ranillugut shoqërohet në polici, dyshohet se bëri presion tek votuesit
Kryetarja e Ranillugut, Tanja Antic, është shoqëruar në polici nën dyshimet se e njëjta ka ushtruar presion tek votuesit.
Zëdhënësi i policisë, Ismet Hashani ka thënë se, Antic dyshohet se ka ushtruar ndikim tek votuesit e papërcaktuar ose subjekteve të tjera, dhe se ajo, po ashtu dyshohet se ka kërcënuar votuesit për ndërprerje të benefiteve që ata marrin nga Serbia, në rast nëse ata s’votojnë sipas udhëzimeve të saja.
“Policia e Kosovës ka pranuar informacion se dyshohet se ka ushtruar ndikim tek votuesit e papërcaktuar ose të subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohen se janë kanosur për ndërprerje të benefiteve të ndryshme të cilat këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë në rast të mosvotimit sipas udhëzimeve të saj. E dyshuara është shoqëruar në ambiente të hetimeve rajonale dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës ku prezent ka qenë edhe Prokurori i Shtetit. Pas intervistimit prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që rasti të shkojë në procedurë të rregullt”, ka thënë ai për T7.
Hashani ka folur për procesin zgjedhor edhe në pjesën tjetër të rajonit të Gjilanit, duke thënë se “në bazë te të dhënave në të gjitha pikat raportimet janë pozitive. Mund të themi se informatat i kemi se gjithçka është në rregull”.
PDK: Mos e lini votën në shtëpi – dilni dhe votoni për veten, për familjen, për vendin
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci në një konferencë për media u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Stavileci, në një konferencë për media, tha se sot është dita për të vendosur, jo për të pritur.
“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi! Mos e lini vendimin për të tjerët! Sot, secili nga ne e ka në dorë një përgjegjësi të madhe dhe ju që ende nuk keni votuar, dilni dhe votoni! Sot, secila votë ka rëndësi. Ju jeni ata që vendosni, për veten tuaj, për familjen tuaj dhe për të ardhmen e vendit tuaj. Nga një votë e secilit prej nesh ndërtohet një e ardhme për të gjithë”, ka kërkuar ai.
Stavileci tha se në këtë ditë të veçantë për demokracinë tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë, qytetarët e Kosovës po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit, për mënyrën se si duan të jetojnë nesër dhe për shpresën që duan t’u japin fëmijëve të tyre.
“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat që po marrim nga terreni janë pozitive. Po na vijnë mesazhe të qarta. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, me bindje të plotë për zhvillim dhe për një jetesë më të mirë për secilin qytetar të Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës, drejt një niveli mbështetjeje dhe një numri in votash që për ne janë historike”, është shprehur ai.
Stavileci ka falënderuar të gjithë për përgjegjësinë qytetare që po e tregojnë sot.
“Ne besojmë se Kosova mundet dhe duhet të bëjë më mirë. Mund të ketë më shumë stabilitet politik, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie dhe më shumë shpresë për të rinjtë që sot po vendosin për të ardhmen e tyre. Sot, secili prej jush është pjesë e këtij vendimi. Prandaj, shfrytëzojeni me përgjegjësi këtë të drejtë për veten dhe familjen tuaj”, theksoi ai.
Problemet me rrymë, Radoniqi: Shpresojmë të mos ndalet në orët kur bie terri
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka folur për problemet me energji elektrike që kanë pasur disa prej qendrave të votimit në komuna të ndryshme.
Radoniqi ka thënë se shpreson që nuk do të ketë ndalje të rrymës në orët kur do të bie terri, derisa s’ka shprehur siguri që diçka e tillë s’do të ndodhë.
Ai ka thënë se mbetet të shihet se si do të veprohet, duke premtuar megjithatë se s’do t’i lënë votuesit që të votojnë në terr.
“Shpresojmë që s’do të kemi ndërprerje të rrymës prej orëve kur do të bie terri. Por metët të shohim. Integritetin e zgjedhjeve jodomosdoshmërisht mund ta cenojë energjia elektrike. Por do të shohim”, ka thënë Radoniqi.
“Do të sigurohemi që s’do t’i lëjmë në terr me votu. Por procesi i votimit nuk ndalet”, ka shtuar ai.
Radoniqi: Deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 570 mijë qytetarë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës lidhur me procesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi njoftoi se janë raportuar tri raste për ndalje të energjisë elektrike në disa qendra votimi, por që theksoi se reagimi ka qenë i shpejtë.
Duke u mbështetur në të dhënat preliminare, Radoniqi tha se deri në ora 15:00 kanë votuar 572 mijë e 726 qytetarë.
“Numri me të drejt vote 572 mijë e 726 votues apo 28.65%”, tha Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë të drejtë vote 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.
Deri në ora 15:00, mbi 14 mijë votues më shumë se në zgjedhjet e 9 shkurtit
Për dallim nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në këto të 28 dhjetorit rezulton se dalja e qytetarëve në votime është më e madhe.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 15:00 po del të jetë më e lartë se në ato të 9 shkurtit.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 572 mijë e 723 votues apo 28.97%.
Më 9 shkurt kishin votuar 28.32% apo 558,246 votues.
Pra në këto zgjedhje janë 14 mijë e 477 votues më shumë.
KQZ: Mbi 550 mijë qytetarë kanë votuar deri tani
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përditësuar të dhënat e fundit për pjesëmarrjen e qytetarëve deri në orën 15:00.
Sipas të dhënave të fundit, deri në përditësimin e fundit të bërë në ora 15:19 kanë dalë për të votuar 27.95% e qytetarëve.
Nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar deri tani 558 mijë e 872 qytetarë.
Këto të dhëna janë nga 2,424 vendvotime të procesuara nga 2,557 sa janë gjithsej.
“Dy gëzime sot”, qytetari nga Gjakova: Edhe po e martoj djalin, edhe do festoj nëse fiton partia që kemi votuar
Në Gjakovë, atmosfera e sotme është shoqëruar me tupana dhe festë, jo vetëm për shkak të procesit të votimit, por edhe për një ngjarje familjare të veçantë.
Ukë Berisha, kryefamiljar, ka bërë të ditur se sot po marton djalin e tij.
Ai u shpreh i lumtur për këtë ditë të veçantë, duke theksuar se bëhet fjalë për dasmën e dytë që organizon në familje.
“Jam shumë i lumtur, është një gëzim i veçantë. Në orët e hershme të mëngjesit, rreth 80 për qind e fshatit kanë votuar dhe më pas kanë marrë pjesë edhe në dasmë”, tha Berisha në KlanKosova.
Ai tha se po gëzohet shumë për dasmën e djalit, por do jetë gzim i dyfishtë nëse veç fiton partia që kanë votuar dhe se do të festojnë edhe në mbrëmje.
The Guardian: Kosova voton për t’i dhënë fund krizës politike
Qytetarët e Kosovës po votojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare me shpresën për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka përfshirë vendin gjatë pjesës më të madhe të këtij viti, shkruan The Guardian.
Sipas gazetës britanike, zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të formojë qeverinë, pavarësisht se doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky bllokim politik shënon herën e parë që Kosova nuk ka arritur të formojë qeveri që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998–1999 dhe fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Sipas The Guardian, mbetet e paqartë nëse VV do të arrijë të sigurojë shumicën në Kuvendin me 120 deputetë, pasi partitë kryesore opozitare kanë refuzuar një koalicion. Sipas ligjit zgjedhor të Kosovës, 20 ulëse parlamentare u takojnë automatikisht përfaqësuesve të komunitetit serb dhe pakicave të tjera.
The Guardian paralajmëron se një tjetër rezultat i paqartë do ta thellonte më tej krizën politike. Kosova ende nuk ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, duke ngritur shqetësime për pasoja negative në ekonominë tashmë të brishtë të vendit me rreth dy milionë banorë.
Ndërkohë, Kuvendi duhet të zgjedhë edhe presidentin e ri në muajin mars, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në fillim të prillit. Nëse dështon edhe ky proces, vendi do të përballej me zgjedhje të tjera të parakohshme.
Partitë kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, e kanë akuzuar Kurtin për autoritarizëm dhe për përkeqësim të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2021. Kurti, ish-i burgosur politik gjatë sundimit serb në Kosovë, ka mbajtur qëndrim të ashpër në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, çka ka sjellë masa ndëshkuese nga BE-ja dhe SHBA-ja.
“Nuk ka sondazhe të besueshme parazgjedhore, por në zgjedhjet e fundit Vetëvendosje fitoi rreth 42% të votave, ndërsa dy partitë kryesore rivale së bashku rreth 40%. Analistët vlerësojnë se edhe ndryshimet më të vogla në rezultate mund të jenë vendimtare për ndarjen e pushtetit”, shkruan mediumi.
Ilmi Deliu, një pensionist 71-vjeçar nga Prishtina, i tha gazetës se shpreson që zgjedhjet të sjellin ndryshim, përndryshe “do të përfundojmë në humnerë”.
Gazeta kujton gjithashtu tensionet në veri të Kosovës, ku në vitin 2023 pati përleshje të dhunshme me serbët lokalë, gjatë të cilave u plagosën dhjetëra paqeruajtës të NATO-s. Si hap pozitiv, këtë muaj kryetarët serbë të komunave në veri morën pushtetin në mënyrë paqësore pas zgjedhjeve lokale.
Kosova mbetet një nga ekonomitë më të varfra në Evropë dhe është një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë, si Kosova ashtu edhe Serbia janë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është kusht kyç për përparim drejt BE-së.
PDK thërret konferencë për media
Partia Demokratike ka thirrë konferencë për media në ora 15:15.
Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja.
“FTESË PËR MEDIA: Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot një konferencë për media.
Vendi: Selia qendrore e PDK-së.
Koha: 15:15”
Ambasadori britanik: Moti i ftohtë nuk duhet të pengojë qytetarët që të votojnë
Në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ambasadori britanik në vend, Jonathan Hargraves, vizitoi vendvotimin në Shkollën Fillore “Sveti Sava“ në Mitrovicën e Veriut.
Në një bisedë të shkurtër për KoSSev, Hargraves tha se moti i ftohtë nuk duhet të pengojë qytetarët dhe shpreson që kjo të nxisë pjesëmarrje të lartë në votime. Ai shprehu besimin se qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatët që mendojnë se do t’i përfaqësojnë më mirë në të gjithë Kosovën.
Ambasadori njoftoi se gjatë ditës do të vizitojë edhe disa vende të tjera të votimit për të parë nga afër procesin zgjedhor. “Kam parë sa shumë përpjekje janë bërë që këto zgjedhje të kalojnë në mënyrë të qetë dhe të suksesshme. E di që votuesit nga e gjithë Kosova po përdorin të drejtën e tyre demokratike“, tha ai.
Megjithatë, Hargraves shtoi se deri tani ka vizituar vetëm një vendvotim dhe se do të jetë e nevojshme të shihet situata në të gjithë vendin për një pamje më të plotë të zhvillimeve.
Abelard Tahiri: Dil dhe voto, trego që Kosova vendoset nga ju
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.
Ai theksoi se pjesëmarrja në zgjedhje është detyrim qytetar dhe themel i demokracisë.
Sipas Tahirit, çdo votë ka peshë dhe ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit.
Ai ftoi qytetarët që me votën e tyre të tregojnë se Kosova vendoset nga qytetarët e saj.
“Sot mos qëndroni anash, dilni dhe votoni dhe tregoni se Kosova vendoset nga ju”, tha Tahiri.