Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në platformën elektronike ka përditësuar të dhënat nga numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar deri në orën 11:00.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri më tani është 160,855, apo 8,05%.
KQZ-ja pritet që së shpejti të mbajë edhe konferencën e dytë rreth procesit zgjedhor. /Reporteri.net/
Mërgimtari bllokoi derën e vendvotimit pasi nuk iu lejua të asistojë në votim për nënën e moshuar – detaje nga incidenti në Zhegër
Një përplasje verbale mes një mërgimtari dhe komisionerëve ka ndodhur në qendrën e votimit “Agim Ramadani” në Zhegër.
Menaxheri i kësaj qendre bëri të ditur se i njëjti ka hyrë në vendvotim, duke tentuar të asistoi për nënën e tij të moshuar, duke mos pasur dokumentin e nevojshëm i cili lejon asistimit.
Sipas menaxherit, pasi kjo nuk i është lejuar, ai ka kërkuar që të votojë për nënën e tij, gjë e cila poashtu nuk i është lejuar dhe ai duke e ngritur zërin e ka përsëritur kërkesën, duke e bllokuar derën e hyrjes.
“Papritmas erdhi një qytetar, votues (mërgimtar), i cili hyri në qendrën e votimit (01) edhe tentoi të asistonte për nënën e tij të moshuar, mirëpo në momentin që ka insistuar kryesuesi nuk ka lejuar që të asistojë për nënën. Nuk ka pasur dokumentacion valid e që e lejon asistencën, e kështu që sipas KQZ-së kjo është e palejueshëm të votojë apo asistojë. Pra pas votimit të vet ai insistoj që të votonte për nënën e tij, e kjo s’u lejua”, deklaroi Agushi.
Ai tha se me këtë rast po merren tanimë edhe institucionet përkatëse.
“Ai tentoi që me ngritje të zërit të votojë, e kështu që e ka blloku për dy-tre minuta edhe derën e hyrjes së vendvotimit, e kështu u thirrën policia dhe gjendja u kthye në normalitet. Është larguar nga vendvotimi, pak më herët patëm edhe Prokurorinë që morën disa shënime e disa dëshmitarë”.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar policia, të cilët e kanë larguar mërgimtarin nga vendvotimi.
Raportohen probleme me rrymë në 6 qendra votimi
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë pranuar ankesa për probleme më energjinë elektrike në 6 qendra të votimit.
“Sipas raportit të orës 11 në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në 6 qendra të votimit, në 6 komuna, Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan”, ka thënë Radoniqi në konferencën për media.
Voton presidentja Osmani: Shpresoj që këto zgjedhje të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të institucioneve
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të Kuvendit dhe qeverisë, për të çuar përpara procese të domosdoshme për vendin.
Pasi ka ushtruar edhe vetë të drejtën e votës, Osmani ka shtuar se është e bindur që “të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara që të kemi institucione funksionale dhe me legjitimitet të plotë”.
“Uroj që Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike. Uroj të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve. Zgjedhjet janë proces i rëndësishëm demokratik. Shpresoj që rezultatet të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të parlamentit dhe zgjedhje të qeverisë, që janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Kosovën”, ka thënë presidentja.
“Na u dasht me e kthy në shpi”, qytetari ankohet se nëna e tij që nuk di shkrim-lexim dhe ka probleme me shikim nuk u lejua të votonte
Një qytetar nga Podujeva është ankuar se nëna e tij 80 vjeçare nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e votës.
Ai ka raportuar në adresë të gazetës online Reporteri.net se rasti ka ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Sibovc të Podujevës. Ky qytetar tha se nëna e ti ka probleme me shkrim-lexim dhe po ashtu edhe me shikim, dhe nuk iu lejua asistenca për të votuar.
“Mu dashtë me e kthy nanën në shpi pa votu. Rasti ka ndodhë në Sibovc, shkolla “Pavarësia”, Podujevë. Nuk na i lejuan me asistu. Nana ka probleme edhe me shkrim-lexim edhe me shikim dhe nuk na lejuan. Na thanë zyrtarët nuk guxojmë me ju leju se është vepër penale, kështu është marrë vendim nga KQZ-ja”.
Ky qytetar tha për Reporteri.net se në zgjedhjet e kaluara nëna e tij ka shfrytëzuar të drejtën e votimit me asistencë.
Gjatë ditës së sotme, teksa ka votuar, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi pasi pasi hodhi votën e tij, foli për procedurën e votimit për personat që nuk dinë shkrim e lexim.
“Për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla, ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ-së kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit, por këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit, asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit. Por mund të komunikojnë me këdo për të votuar, por votën duhet ta vendosin vetë”, ka thënë ai.
Memli Krasniqi: Sot, çdo votë është një hap drejt një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë
Ish-kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka hedhur votën e tij në zgjedhjet e sotme parlamentare.
Krasniqi pas votimit ka thënë se çdo votë sot është një hap drejt stabilitetit, zhvillimit dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë.
“Bashkë me Melizën, ushtruam të drejtën tonë qytetare dhe të domosdoshme. Sot, çdo votë është një hap drejt stabilitetit, zhvillimit dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë.
Dilni dhe votoni. Me përgjegjësi, shpresë dhe besim”, ka thënë Krasniqi.
Voton Limaj: Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka votuar pak më parë në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij.
Pasi hodhi votën në kuti, Limaj u deklarua para mediave.
“Sot një ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, për shtetin tonë. Sot është dita e vendimmarrjes të çdo qytetari për ta bërë këtë shtet më të pjekur, më të fortë, më konsistent, më funksional. Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari për t’i dhënë një mundësi dhe shpresë zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha Limaj.
Përplasje mes votuesve në një vendvotim në Zhegër të Gjilanit, ndërhyn policia
Përplasje verbale mes disa votuesve raportohet se ka pasur në shkollën “AGim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit.
Siç shihet në pamjet e publikuara nga RTV dukagjini, prezent aty janë edhe Policia e Kosovës.
Nuk dihet saktësisht se si ka ardhur deri te konflikti.
Rrahman Agushi, menaxheri i kësaj qendre të votimit, u shpreh se gjithçka u menaxhua mirë.