Në zemër të Pazarit të Korçës, teksa dëbora mbulon qytetin, mund të përjetosh një nga traditat më të bukura korçare, lakrorin në saç. Një shije e gatimit të shtëpisë që përgatitet nga një çift bashkëshortësh në biznesin e tyre të vogël familjar.
Sapo hyn brenda, mund të harrosh kaloritë sepse sytë të shkojnë menjëherë te shkallët me mbishkrime, ku në njërin thuhet: “Mbajmë dietë vetëm ndërsa presim që lakrori të piqet.”
Sipërmarrja e vogël është shpërndarë nga kryeministri Rama në rrjetet sociale që ka dhënë disa detaje.
“Mirëmëngjes, dhe me shijen e lakrorit në saç, në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, gatuar me dashuri nga Edlira dhe Gramoz Shelanji, që mbajnë gjallë një nga traditat më të bukura korçare, një përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.
Në videon e postuar, Edlira gjendet në kuzhinë duke hapur petët me brumin e butë dhe duke i lyer, teksa tregon si nisi sipërmarrja e vogël.
“Jemi të dy bashkëshortë dhe vendosëm të hapnim një biznes të vogël familjar. Na lindi si dëshirë sepse ne e kemi të trashëguar. Unë që fëmijë kam qenë e apasionuar pas gatimit dhe rrija shpesh me gjyshet e mia. Ato e përdornin dhe unë vendosa ta vazhdoja këtë traditë. Puna ime është e bazuar në prodhime me dorë”, thotë ajo.
Fjalët e saj përkojnë me një tjetër shkrim te shkallët, “Artist është kushdo që di të bëjë diçka, gatimin për shembull.”
Më pas, tregon drejt murit ku ndodhen sende të vjetra gatimi dhe veçon një okllai.
“Ajo mund të ketë 200 vjet. E kanë trashëguar gjyshet e mia nga gjyshet e tyre dhe kështu ajo okllai ka ecur brez pas brezi”, rrëfen Edlira.
Krah saj qëndron Gramozi, i cili merret me pjekjen e lakrorëve të përgatitur nga duart e së shoqes. Të dy janë mësuar me vështrimet kureshtare, të shumëfishuara nga turistët që kërkojnë të përjetojnë shijen dhe përvojën e vërtetë korçare.