Në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku ai u diplomua për regji, sot u mbajtën homazhet për gazetarin Artur Zhejin, i cili u përcoll për në banesën e fundit. Familjarë, miq, kolegë, politikanë e personalitete të artit i dhanë lamtumirën publicistit, analistit dhe një prej zërave më të veçantë të gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar, që ndërroi jetë papritur në moshën 64-vjeçare nga një arrest kardiak, në Sarandë.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe vijuan për 2 orë e gjysmë. Në hyrje të Universitetit u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama.
Ikja e tij e parakohshme bashkoi në dhimbje jo vetëm botën e medias, por edhe politikën e artin. Deputeti socialist Arben Pëllumbi e cilësoi Zhejin një figurë të rëndësishme të mendimit të lirë.
“Ditë e trishtuar për miqtë e Turit, por edhe për shtypin dhe median shqiptare. Përfaqësonte një figurë mjaft të rëndësishme në gazetari e në mendimin e lirë të këtij vendi”, tha deputeti Arben Pëllumbi.
“Pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues, që do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin. Një ikje e parakohshme”, tha ministri Blendi Gonxhja.
“Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër”, tha Sali Berisha.
“Patriot që luftoi jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe parimeve të shtetit të së drejtës”, tha Tedi Blushi.
Për miqtë e afërt, Zheji ishte mbi të gjitha një shpirt artisti dhe një erudit i rrallë. Aktori Timo Flloko e përshkroi kështu: “Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha.”
Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhej edhe me çështjen kombëtare dhe Kosovën. Këtë e kujtoi ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, që e kishte njohur prej 27 vitesh.
“Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
Gazetari dhe publicisti, i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonte ditëlindjen e të birit.
Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore.
Artur Zheji studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për t’u rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin “360 Gradë”, një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë.