Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, përsëritën qëndrimet e mëparshme se “marrëdhëniet e ndërlikuara në Bosnje dhe Hercegovinë janë pasojë e ndërhyrjes së madhe të Perëndimit në punët e brendshme të saj”.
Lavrov e mirëpriti Dodikun në Moskë të martën. Duke folur në një konferencë për shtyp, Lavrov i përsëriti kritikat e tij ndaj përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Christian Schmidt, duke thënë se ai “nuk ka mandat” nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe se “po përpiqet të imponojë vendime dhe ligje me urdhër të Perëndimit”.
“Ne dënojmë fuqimisht përpjekjet për t’i larguar nga pushteti udhëheqësit serbë që janë të padëshirueshëm për Perëndimin, dhe veçanërisht bashkëbiseduesin tonë të sotëm, mikun tonë, presidentin legjitim të zgjedhur ligjërisht të Republika Sërpska, përmes rasteve të sajuara penale”, tha Lavrov.
Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje. Lavrov njoftoi se Rusia do të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tetor të këtij vitit dhe se një seancë mbi situatën në Bosnje do të mbahet më 31 tetor, “kur kolegët tanë në Këshill do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve shumë të pakëndshme në lidhje me Bosnjën”.
Dodik tha se “Bosnja nuk ka marrë kurrë vendim për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, sepse Republika Sërpska e pengoi këtë përmes përfaqësuesve të saj”.
Dodik ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij për mediat Schmidtit.
“Përfaqësuesit e lartë kanë shkarkuar mbi 900 përfaqësues të zgjedhur në Bosnje, dy të tretat e të cilëve janë nga Republika Sërpska. Republika Sërpska i ka mbetur e përkushtuar ndaj ‘shkronjës’ së Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Perëndimi ka përdorur të ashtuquajturën frymë të marrëveshjes. Për vite me radhë kemi pasur një të huaj pa emër të quajtur Schmidt, përmes të cilit ata imponojnë vendime”, tha Dodik.
Dodik, ndër të tjera, tha se nuk ka ndikim të keq rus në Bosnje. Ai njoftoi së fundmi në një intervistë me gazetën ruse “Sputnik” se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në tetor.
Siç tha Dodik në atë kohë, ai do t’i kërkojë Rusisë të përdorë veton ndaj zgjatjes së misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR Althea, për të cilin votohet çdo nëntor nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Ministria e Jashtme e Bosnjës i dërgoi të premten notë proteste Hungarisë pasi ministri i saj i Jashtëm, Peter Szijjarto, e cilësoi Dodikun si president të Republikës Sërpska gjatë një takimi në Budapest.