Pasi paraprakisht njoftuan se aktakuza për zjarrin në kabarenë “Puls” në Koçan është miratuar plotësisht, nga Gjykata Themelore Penale informuan edhe për atë se cilit gjykatësi i është caktuar lënda për procedim të mëtejshëm. Bëhet fjalë për Diana Gruevska-Ilievskan nga Departamenti penal për të rritur pranë gjykatës më të madhe në vend, njofton Portalb.mk.
Nga Gjykata Penale thonë se Gruevska-Ilievska është gjykatëse me një përvojë të gjatë që ka punuar në të gjitha departamentet e kësaj gjykate.
“Sipas AKMIS-it (lënda) i është caktuar për procedim të mëtejshëm gjykatëses Diana Gruevska-Ilievska nga Departamenti penal për të rritur. Bëhet fjalë për një gjykatëse me 19 vjet përvojë gjyqësore në të gjitha departamentet e kësaj gjykate, si dhe 17 vjet përvojë paraprake si bashkëpunëtore profesionale. Për të gjitha veprimet e mëtejshme procedurale që kanë të bëjnë me lëndën konkrete, siç kemi theksuar, publiku dhe palët do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Përndryshe, gjykatësja Gruevska-Ilievska, nga lëndët që u ndoqën me interes më të madh nga publiku, kryesoi Këshillin Gjyqësor në rastin “Llaskarca” për aksidentin me autobusin në të cilin jetën e humbën 16 persona ndërsa 37 të tjerë u lënduan.
Ky proces zgjati shumë gjatë sepse u prit shumë gjatë super-ekspertiza, ndërsa pas përfundimit të saj dhe pas fillimit të prezantimit të saj në sallën e gjyqit disa organizata joqeveritare reaguan se gjykatësja kishte lejuar që ekipi prej katër inxhinierësh të trafikut të merrej në pyetje në sallën e gjyqit praktikisht si një person, edhe pse prokurori publik Darko Jakimovski e kundërshtoi këtë.
Nga koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë” atëkohë reaguan se marrja në pyetje si ekip i ekspertëve ishte në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale (LPP).
Ajo u delegua edhe si anëtare e Këshillit Gjyqësor që e gjykoi lëndën “Organizatorët e 27 Prillit”, të cilën e kryesonte kolegu i saj Ilija Tërpkov.
Gjykatësja Gruevska-Ilievska për një kohë të caktuar e udhëhiqte edhe lëndën “Ryshfeti” kundër ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, kur ai ishte në opozitë dhe përpara se të bëhej kryeministër në vitin 2017.
Gjykata Themelore Penale e Shkupit më herët sot njoftoi se ishte përmbushur afati dhe se aktakuza për zjarrin në Koçan, ku jetën e humbën 62 persona dhe u lënduan më shumë se 200 të tjerë, ishte miratuar plotësisht nga Këshilli për Vlerësimin e Aktakuzës.
Por, në këtë njoftim të gjykatës nuk ishte shënuar se cilit gjykatësi i ishte caktuar lënda.
Në njoftimin e sotëm nga Gjykata Penale i rendisin në mënyrë kronologjike fazat nëpër të cilat ka kaluar lënda që nga ngritja e aktakuzës dhe sfidat me të cilat është përballur gjykata në pothuajse katër muajt e fundit, të cilat kanë shkaktuar vonesë në procedurën për vlerësimin e aktakuzës.
Gjegjësisht, disa nga gjykatësit që është dashur të veprojnë në këtë lëndë kanë kërkuar të largohen sepse anëtarë të familjeve të tyre të ngushta dhe të afërm të tjerë kanë qenë në rolin e avokatëve, avokatë të mbrojtjes për disa nga të pandehurit në këtë çështje, ose janë të lidhur me viktimat e tragjedisë.
Sipas Gjykatës Penale problemi i cili shkaktoi vonesë në procedurën për vlerësimin e aktakuzës ishte edhe dorëzimi dhe pranimi i aktakuzës nga ana e të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës.
Problem shtesë gjatë dorëzimit kishte edhe për shkak se në aktakuzën e dorëzuar fillimisht, para se ajo të kompletohej, në dispozitiv nuk ishin shënuar plotësisht të dhënat personale të të pandehurve nga Gjykata Themelore e Koçanit, si dhe aktvendimet për adresat ku vihet masa e arrestit shtëpiak, që Gjykatës Penale i duhej t’i kontrollonte në mënyrë plotësuese.
Përkujtojmë se më pak se tre muaj pas zjarrit në kabarenë “Puls” në Koçan më 13 qershor nga Prokuroria Publike njoftuan se për tragjedinë janë ngritur akuza kundër 34 individëve dhe tre personave juridikë.
Të gjithë të pandehurit akuzohen për veprën penale krime të rënda kundër sigurisë publike me përjashtim të njërit, i cili akuzohet për pranim ryshfeti për përgatitjen e licencave të falsifikuara në mënyrë që objekti të mund të funksionojë si klub nate.
Në rastin “Puls” më pak se një muaj më parë, gjegjësisht më 5 shtator, Prokuroria ngriti edhe një aktakuzë kundër pronarit të kompanisë së sigurimit “Rubikon”, Aleksandar Nacev. Nacev ndiqet penalisht edhe për krime të rënda kundër sigurisë publike, sepse, sipas Prokurorisë, ai ka një kontribut të veçantë në lëshimet e “Puls”-it, përkatësisht nuk ka vepruar sipas rregulloreve dhe rregullave teknike për masat për mbrojtje dhe kështu ka shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e njerëzve, si dhe për pronën.
Gjykata Themelore Penale në Shkup më 3 dhjetor miratoi aktakuzën për zjarrin në Koçan, procedura kundër 37 të pandehurve do të zhvillohet në Shkup.
Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.