Partizani do të masë forcat me Flamurtarin të shtunën. Ndeshja do të luhet në Vlorë dhe gjithçka nis në orën 17:00. Ky takim është mjaft i veçantë pasi një ekip si Flamurtari, që njihet për përbërjen me lojtarë të huaj, i ka gjashtë prej tyre që kanë lidhje të mëparshme me Partizanin. Bëhet fjalë për katër ish-kapitenë: Idriz Batha, Bruno Telushi, Valentino Murataj dhe Lorenc Trashi. Si edhe dy të tjerë që kanë provuar akademinë e Partizanit, duke qenë po ashtu të gatshëm për ekipin e parë: Herald Marku dhe Stivian Janku.
Jo vetëm kaq. Partizani po ashtu dallon që ka katër futbollistë vlonjatë në përbërje. Bëhet fjalë për Paulo Buxhelajn, Pano Qirkon, Mateo Shanajn dhe Mateo Çipin. Nëse trajneri Moriero mbështetet te futbollistët shqiptarë, ndryshe nga paraardhësi Garsia, atëherë padyshim që ndeshja do të shikojë rivalitet. Trashi, Telushi dhe Murataj, pas largimit nga Partizani nuk janë vendosur deri tani përballë të kuqve. Sfida me shumë gjasa do të prodhojë emocione të forta. Partizani me 2 pikë më tepër se Flamurtari mban vendin e parafundit, kështu edhe pikët janë jetike aktualisht për të dyja ekipet.
MERKATO “MADE IN PARTIZANI”
Flamurtari në Kategorinë e Parë kishte objektivin e vetëm, të rikthehej në Superiore. Merkato e sezonit 2024/ 25 dukej si “Made in Partizani”. Kjo pasi afroheshin te Flamurtari emra si Sodiq Atanda, Stivian Janku, Herald Marku, Valentino Murataj, Lorenc Trashi dhe Bruno Telushi. Të gjashtë këto futbollistë kanë luajtur më parë te Partizani. Bashkë me ta aktivizohej edhe Idriz Batha, ish-kapiten i Partizanit, që u transferua më parë te kuqezinjtë. Vlonjatët ia dolën që edicionin e kaluar të festonin pas disa viteve të vështira. Kështu në fund e mbyllën kampionatin si vend i dytë. Më mirë e pati ecurinë vetëm Vora, që u shpall kampione.
ISH-LOJTARËT E SFIDËS TE FLAMURTARI
Flamurtari do kërkojë fitoren e parë të sezonit këtë të shtunë. Përballë vendoset Partizani, një ambient të cilin futbollistët e Flamurtarit e njohin mjaft mirë. Kjo për shkak të ish-ëve që kjo sfidë do ketë. Në një ekip që futbollistët shqiptarë janë të pakët, dallohet se gjashtë prej tyre janë ish-lojtarë të Partizanit. Bruno Telushi, ish-kapiten i Partizanit, u rikthye te Flamurtari dhe tashmë jep kontributin e tij me fanellën vlonjate. Duke konsideruar pjesën tjetër që do përmendet në vazhdim, Telushi është i vetmi vendës.
Idriz Batha promovohej nga Partizani duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Tashmë po rikuperohet plotësisht nga dëmtimi serioz, që e ka mbajtur për disa kohë jashtë fushave të blerta. Aktualisht vijon me vrapimet. Ish-kapiten i Partizanit, Lorenc Trashi është edhe lojari me më tepër minuta deri tani nga pjesa tjetër.
Trashi ka nisur çdo ndeshje nga minuta e parë duke dhënë kontributin e tij deri në fund. Jo vetëm Telushi, Batha dhe Trashi. Flamurtari ka një tjetër ish-kapiten të Partizanit në përbërje. Bëhet fjalë për Valentino Muratajn. 29- vjeçari ka fituar minuta në dy javët e fundit të Superiores dhe tashmë ndodhet në formë. Stivian Janku dhe Herald Marku janë dy elementë të tjerë që po përgatiten nga Moriero për këtë sfidë. Të dy kanë luajtur me moshat e Partizanit. Nëse Marku ka dhënë kontributin edhe tek ekipi i parë, Janku nuk e pati mundësinë edhe pse ka qëndruar i gatshëm në stol.