Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk ka dalë para deputetëve të Maqedonisë së Veriut, kjo për shkak se Qeveria ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend, pavarësisht dritës jeshile nga Komisioni i Venedikut. Kjo çështje sot u bë temë në seancën për pyetje të deputetëve.
Deputeti i Frontit Evropian Skender Rexhepi, e pyeti kryeministrin Hristijan Mickoskin se si institucionet arrijnë ta matin përfaqësimin derisa nuk ka mekanizëm kontrolli.
“Duke pasur parasysh se përkatësia etnike nuk figuron në asnjë dokument personal, as në letërnjoftim as në certifikatë as në pasaportë, në asnjë dokument shëndetësor do të thotë nuk ka përkatësi etnike të definuar askund. Pyetja është, si ju si kryeministër ose ministrat përkatës ose drejtorët e institucioneve përkatëse do e caktoni përbërjen etnike të institucionit që ju e drejtoni?”, tha Rexhepi.
Mickoski për të disatën herë përsëriti se ligji i ri shumë shpejt do të hyjë në procedurë parlamentare.
“Unë jam garantuesi dhe këtë e kam thënë edhe në të kaluarën. As si person, as si politikan e as si kryeministër nuk do të lejoj askush askënd të majorizojë apo minimizojë. Absolutisht mund tu siguroj se cilësia e njerëzve pa dallim nga cila përkatësi etnike vjen duhet të jetë prioritet dhe kjo praktikisht është vlerë themelore kushtetuese”, tha Mickoski.
Në këtë ka reaguar, zëdhënësi i BDI-së opozitare, Arbër Ademi. Sipas tij, pasi ligji nuk parasheh kuota etnike, ai është duke e kthyer Maqedoninë në realitetin e para vitit 2001, kur shqiptarët ishin statistikë e prej vetëm 0.2% në administratë.
“Ligji nuk obligon institucionet që të evidentojnë përkatësinë etnike gjatë punësimeve dhe avancimeve, pra diskriminimi legalizohet. Nuk përmban asnjë mekanizëm sanksionues, që do të thotë se ligji, edhe po u shkel, mbetet letër pa vlerë. Na thanë se “balancuesin” do ta avanconin, do ta bënin me ligj – ironikisht, ai tashmë ishte i rregulluar me ligj. Sot, në këtë draft, nuk ekziston asnjë zgjidhje reale që e operacionalizon politikën afirmative të garantuar me Amendamentin VI të Kushtetutës.” thotë mes tjerash, Ademi.
Që nga shfuqizimi i “balancuesit”, ligji ec me këmbë të breshkës
Ndonëse ka kaluar mbi një muaj që kur ky ligj u shqyrtua në seancë plenare të Komisionit të Venedikut, në Shkup nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Nga ekzekutivi thonë se, ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri, pritet që në një afat sa më të shkurtër Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat t’i dorëzohet Kuvendit, por nuk thonë afat konkret.
Ky ligj u dorëzua në Komisionin e Venedikut për mendim vitin e kaluar, ndërsa në fillim të muajit dhjetor, në seancë plenare u shqyrtua dhe mori vlerësim pozitiv.
Paraprakisht, në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së.
Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.
Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.
Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.
Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.
Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-së, nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.
Në Maqedoninë e Veriut rreth një vit e gjysmë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.