Vetëm pak javë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për njohjen e viteve të punës për të gjithë ata që kanë punuar në ish-kooperativa apo ndërmarrje shtetërore përpara viteve ‘93, qeveria ka gati listën e tyre.
Ky vendim është derivat i ligjit, ndërkohë që priten edhe udhëzime të tjera plotësuese mbi mënyrën se si do të zbatohet më tej. Deri vitin e kaluar, Instituti i Sigurimeve Shoqërore kishte një listë me vetëm 72 ish-kooperativa ku njiheshin vitet e punës, pasi dokumentacioni i tyre shpesh nuk gjendej ose ishte i cunguar. Tanimë, gama ndërmarrjeve shtetërore, bujqësore dhe ish-kooperativave është shumë më e gjerë, vendim falë të cilit do të mund të përfitojnë afro 30 mijë persona që dalin çdo vit në pension.
Mjafton një deklaratë nga personi që kërkon të dalë në pension që ka punuar për disa vite në një ish-kooperativë, ish-ndërmarrje bujqësore a shtetërore që t’i bashkëngjitet dosjes së dokumenteve të tjera që vitet e kërkuara të konsiderohen si vite pune. Kësisoj, ata nuk do të enden më gjyqeve për të kërkuar vitet e punës të padokumentuara, por do t’u njihen automatikisht.