Pogradeci mori një fitore historike në derbin e juglindjes ndaj Skënderbeut, sukses që vjen pas 22 vitesh dhe që ka rritur ndjeshëm besimin dhe ambiciet për ngjitjen në Superiore. Liqenorët janë prej dy sezonesh ndër skuadrat më serioze pretendente për elitën: vitin e kaluar iu afruan shumë objektivit, duke shkuar deri në finalen ndaj Tiranës, ndërsa këtë sezon synimi është akoma më i qartë – të sigurojnë ngjitjen direkt, duke e mbyllur kampionatin në dy vendet e para.
Java e mundësive “të arta”
Pogradeci e sheh javën e 16-të si një mundësi ideale për të fituar terren. Sigurisht, më parë duhet të bëjë detyrën në ndeshjen e së shtunës ndaj Kukësit, që luhet në orën 13:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Forma e mirë, e përforcuar nga triumfi ndaj Skënderbeut, e ka rritur optimizmin brenda grupit. Aktualisht, Pogradeci është 8 pikë larg vendit të parë dhe vetëm 1 pikë prapa Laçit të vendit të dytë. Kurbinasit këtë javë përballen me kryesuesit korçarë, një duel që liqenorët e shohin si “dhuratën” që mund t’i ndihmojë në renditje.
Rezultati ideal për ta do të ishte fitorja e Skënderbeut, por edhe barazimi është i pranueshëm, me kushtin që Pogradeci të marrë tri pikët ndaj Kukësit, duke parakaluar kështu Laçin. Statistikat aktuale e mbështesin ambicien. Nën drejtimin e trajnerit actual, Emiljano Çela, një grupi të konsoliduar, si dhe një ritmi të qëndrueshëm, Pogradeci po paraqitet si një nga skuadrat më të balancuara të kampionatit. Pas 15 javësh, bilanci i tyre është: 7 fitore, 5 barazime, 3 humbje dhe golavarazh 18–11. Në aspektin difensiv, Pogradeci ka mbrojtjen e dytë më të mirë të kampionatit, me vetëm 11 gola të pësuar, më mirë se të gjithë rivalët, përveç Laçit, që ka pësuar 9, dhe tre gola më shumë se lideri Skënderbeu.
Ambicia e qartë
Me moral të lartë, kalendar të favorshëm dhe distanca të ngushta në renditje, Pogradeci hyn në këtë javë me bindjen se ngjitja në Superiore mund të nisë pikërisht tani. Nëse arrijnë të marrin maksimumin dhe të shfrytëzojnë përplasjen e dy rivalëve direkt, liqenorët mund të bëjnë një hap gjigant drejt objektivit madhor të sezonit.