Dje, sheshi “Skënderbej” në Tiranë u mbush me mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet – nga Tirana, Prishtina, Ulqini, Shkupi, Presheva e deri te mërgata – për të shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po gjykohen në Hagë.Tubimi, i organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u zhvillua nën moton “Liria ka emër” dhe kërkonte drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.
Protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar nga tenori i njohur Kastriot Tusha, ndërsa më pas vijoi me fjalime të fuqishme nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe Ali Ahmeti, lider i BDI-së dhe një nga themeluesit e UÇK-së.Në fjalimin e tij, Moisiu theksoi rolin historik të ish-krerëve të UÇK-së: “Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar përballë padrejtësive që po u bëhen bijëve më të mirë të Kosovës. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet.”
Ndërsa Ali Ahmeti u shpreh se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse dhe theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar ligjet ndërkombëtare të luftës. Ai paralajmëroi për rrezikun e propagandës që ndan shqiptarët dhe i shërben Beogradit e Moskës.
“Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale apo partiake. Ne duhet të bashkohemi siç u bashkuam për Kosovën Republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO dhe në BE, për shqiptarët e barabartë në Maqedoni e Mal të Zi, ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK-së.”Për këtë tubim reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili publikoi pamje nga sheshi “Skënderbej”, duke e quajtur atë “zemra mal”.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e përshkroi protestën si një shprehje të krenarisë dhe unitetit shqiptar.“Emocione! Krenari! Bashkim! Vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe drejtësia për historinë tonë mund t’i mbledhin shqiptarët kështu – me mijëra, me zemër, me besë e nder. Sot, Tirana u bë zëri dhe qëndrimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve anekënd botës. Drejtësi dhe vetëm drejtësi! Liri për çlirimtarët tanë!”
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili publikoi mesazhe të fuqishme përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare u bashkuan për të nderuar ata që dhanë jetën për lirinë e kombit. Një nga fotot më simbolike e tregoi Ramën krah për krah me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi.“Ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë! Sot, ky shesh është zemra e kombit që rreh me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!”, shkroi Rama.
Edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, shprehu mbështetjen e tij për UÇK-në, duke e cilësuar atë si themel të lirisë së Kosovës dhe krenari të historisë kombëtare: “UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”Tutje dhe emisari i presidentit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ka reaguar pas protestës gjithëkombëtare të mbajtur sot në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Grenell shkroi: “Haga është jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith”, duke iu referuar ish-prokurorit special që ngriti aktakuzën ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.