Sali Berisha komentoi kontratën e shumëpërfolur të lobimit në SHBA. Kreu i opozitës, ndonëse këmbënguli disa herë se bëhet fjalë për një marrëveshje transparente, në fakt ofroi variante të deformuara të disa të vërtetave publike. Sipas tij, PD nuk është palë kontraktuese, në një kohë kur në akte ajo paraqitet si Klienti. Berisha tha se fondacioni është krijuar nga patriot shqiptarë, ndërkohë që rezulton të jetë vetëm i familjes Seci. Ai po ashtu shmangu pagesën tashmë të kryer të 750 mijë dollarëve të para.
Komentet w Kryetarit demokrat Sali Berisha për kontratën e lobimit në Shtetet e Bashkuara, nuk shërbyen për të shpërndarë mjegullën rreth saj. Përgjigjet e tij, lanë sërish pikëpyetje mbi të njëjtat pika të errëta që u ngritën që ditën kur ekzistenca e saj doli në dritë. Madje, përpjekjet për të devijuar disa aspekte që janë tërësisht publike, vetëm ngrenë hije të reja dyshimi.
Berisha përsëriti sot se fondacioni “Make Albania Great Again”, i cili ka marrë përsipër pagesën e majme të kontratës, është krijuar nga “patriotë shqiptarë që duan që PD të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA dhe Shqipëria të ketë marrëdhënie shumë të mira”.
Por akti i themelimit të Fondacioni, i bërë publik nga Report TV, dëshmon se në fakt, të vetmit themelues janë anëtarët e familjes Seci: shqiptaro amerikani nga Tropoja, Nuredin Seci, gruaja dhe djali i tij. Nuredin Seci ka dhe të njëjtën adresë me atë të Fondacionit.
Fondacioni është krijuar në ditët e fundit të muajit mars, vetëm një javë para se të firmosej kontrata e lobimit.
Qëllimi i fondacionit, sipas akteve zyrtare amerikane, është “promovimi i të mirës së përbashkët dhe mirëqënie e komunitetit lokal’’ atje, dhe asnjë fjalë jo vetëm për PD-në por as për Shqipërinë.
Zoti Berisha deklaroi se partia e tij nuk është palë kontraktuese, por Fondacioni. “Ne nuk mohojmë qe ne kemi pranuar dhe kemi firmosur të pranojmë shërbimin, por nuk jemi ne palë kontraktuese”, tha zoti Berisha, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse nuk e kishin bërë publike atë. Por në fakt, vetë kontrata dhe aktet e dorëzuara në FARA nga kompania lobuese ofrojnë një tjetër të vërtetë. Fondacioni MAGA në kontratë ka firmosur vetëm si “Garantuesi” i cili do të kryejë dhe pagesën, ndërsa Partia Demokratike, është pala që konsiderohet “Klienti”, nga ana e kompanisë lobuese, dhe kjo evidentohet në disa pjesë të kontratës. Po ashtu dhe në FARA, as që përmendet fondacioni, por vetëm PD.
Firma e Nuredin Secit si grantor i kontratës së lobimit
Zoti Berisha mohoi që kontrata e lidhur me shpejtësi, brenda pak ditësh që nga momenti i krijimit të Fondacionit, të ketë lidhje me zgjedhjet. Por në fakt, kontrata është firmosur nga Flamur Noka si përfaqësues i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, e cila nuk është një subjekt politik , por një subjekt elektoral.
Flamur Noka firmos kontratën edhe për Aleancën Shqipëria Madhështore
Ndërsa gazetarët këmbëngulën në këtë aspekt, ai dha një përgjigje politike: “Kauzat e opozitës së vërtetë janë të njëjta. PD dhe ASHM kanë të njëjtat kauza”. Ligji shqiptar, ndalon financime të fushatës me shuma më të mëdha se 1 milionë lekë të reja, pra 10.000 dollarë.
Kontrata ka një kohëzgjatje 2 vjeçare, me një vlerë totale prej 6 milionë dollarësh, më e shtrenjta në historinë e lobimeve të partive shqiptare. Berisha u përpoq të zbuste efektet që një shumë e tillë ngjall, duke cituar një nen të kontratës, sipas të cilit palët mund të heqin dorë në çdo moment. Por ndërkohë po sipas kontratës, është bërë pagesa e parë prej 750 mijë dollarësh.
Pagesa 750 mijë dollarë për lobimin e SHBA
Pagesë të cilën zoti Berisha e anashkaloi totalisht. “Kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që do ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre, ndërpresin kontratën. Prandaj nuk mund të flasësh për 6 milionë, nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë”, u shpreh Berisha. Pagesën prej 750.000 dollarësh, duket se e ka harruar.
Ndërsa përpiqej të jepte shpjegime për kontratën, zoti Berisha konfirmoi një tjetër moment, që lidhet me këshilltarin e tij të fushatës Chris LaCivita. Atë, që kontrata me të, është tjetër, pra përfaqëson një marrëveshje të dytë financiare për të cilën, Partia Demokratike refuzon të japë ende të dhëna mbi koston e saj./Shqiptarja.com