Radhën e ka ndërtimi. Me mbylljen e sezonit turistik, administrata tatimore po bëhet gati për të zbarkuar tek sipërmarrjet në sektorin e ndërtimit për të goditur fenomenin e evazionit fiskal.
Në muajin tetor do të nisë aksioni në ndërtim sipas një Plani Sektorial, që në fokus do të ketë një ‘skanim’ të këtyre bizneseve nëse i kanë punonjësit e deklaruar, paguajnë sigurime apo nëse deklarojnë të ardhurat reale të tyre.
Grupet e punës do të përqendrohen tek ulja e punës në të zezë, goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave, reduktimi i mosdeklarimit të saktë të kohës së punës si dhe i mosdeklarimit të saktë të kategorisë dhe profesionit të punonjësit.
Aktualisht në vend janë 7.479 sipërmarrje ndërtuese me gati 63 mijë të punësuar dhe paga mesatare sipas INSTAT është 615 euro nga 560 euro që ishte vitin e kaluar. Ndërkohë aksioni i tatimeve kundër nëndeklarimit të rrogave vjet zbuloi se ky sektor ishte një më problematikët, pasi gati 1 në 4 të punësuar nuk deklarohej me pagë reale.
Po ashtu do të analizohen bilancet financiare të bizneseve dhe përmes kryqëzimit të të dhënave do të verifikohet nëse ka fshehje të ardhurash dhe për pasojë edhe shmangie tatimore. Lëshimi i faturave tatimore po ashtu do të jetë në fokus të kontrolleve si dhe mbajtja e dokumentacionit tatimor për mallrat. Njëjtë siç ka ndodhur edhe në turizëm, ku vetëm në 3 hotele të bëra publike nga tatimet u zbulua se kishin fshehur 3 milionë euro të ardhura.
Këto kontrolle ishin të parashikuara në planin Strategjik 2024-2028, i cili më tej do të shtrihet edhe në tregtinë online, prej së cilës gjenerohen me miliona euro por që nuk deklarohen dhe për pasojë as nuk tatohen.