Biletat për ndeshjen e shumëpritur të La Ligas mes Real Madridit dhe Barcelonës, e planifikuar për të dielën, më 26 tetor në ‘Santiago Bernabeu’, u shitën në më pak se 5 minuta të premten gjatë valës së parë të shitjeve.
Sipas ‘Marca’, faqja e internetit e klubit madrilen përjetoi një rritje të madhe të kërkesës në momentin që u hapën shitjet dhe me mijëra mbështetës të Real Madridit u vendosën në radhë virtuale që zgjatën më shumë se një orë vetëm për të hyrë në portalin e biletave.
Çmimet e biletave për El Clasicon e parë të sezonit varionin nga 135 euro për vendet e katit të sipërm deri në 465 euro për vendet e katit të poshtëm. Në suitat VIP (duke filluar nga 990 euro) të gjitha paketat e disponueshme u shfrytëzuan para mesditës.
As çmimi dhe as ora e ndeshjes nuk e kanë ngadalësuar kërkesën. Sipas raportimeve mësohet se ka pasur rreth 250 mijë kërkesa për bileta.