Ndotja e lumit Gjanica mëngjesin e sotëm është në nivele alarmante, me një aromë të rëndë mbytëse.
Kjo situatë shumëvjeçare duhet të marrë fund janë shprehur njëzëri në kulmin e indinjatës qytetarët fierakë duke dënuar neglizhencën ndër vite të institucineve përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj situate.
“Kjo ndotje shkatërron mushkëritë, është kancer” thonë ata, ndërsa theksojnë se kjo ndotje e rëndë zbeh edhe investimin prej miliona eurosh në kuadër té projektit té Rilindjes Urbane për rikualifikimin e qëndrés së qytetit.
“Duhet edhe pak kontroll nga bashkia. E mirë për njerëzit nuk është. Ndotja nuk kalon.”
“Aroma ka ajo, shqetësuese, që të ikësh që këtu.”
“Gjanica sot vjen shumë e erë e ndotur. Veç hidrokarbureve, këtu hedhin dhe bërsitë ata që bëjnë vajin e ullirit. Pushteti lokal duhet të marrë masa.”
Ashtu si çdo vit në këtë periudhë shkaktarët kryesorë të ndotjes konsiderohen fabrikat e vajit dhe kompanitë e naftës të cilat dyshohet se nën petkun e fabrikave të përpunimit të ullirit shfrytëzojnë rastin për të shkarkuar në lumë derdhje të pakontrolluara hidrokarburesh.
As denoncimet e panumërta dhe as gjobat e papërfillshme me të cilat kompanitë e naftës që operojnë në zonë janë përballur, nuk e kanë përmirësuar situatën, përkundrazi çdo vit përsëritet në nivele edhe më shqetësuese.
Sipas drejtorit te Agjensise Rajonale te mjedisit, Denis Vogli, eshte vene ne dijeni Agjensia Kombetare per te marre mostrat per te bere te mundur evidentimin e ndotjes.
Ndotja e rëndë e lumit Gjanica/ Agjencia Rajonale të Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare nisin inspektimet në kompanitë e naftës
Ndotja e rëndë e lumit Gjanica ka vënë në lëvizje grupet e punës të Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare, të cilat po monitorojnë nga afër situatën.
Sipas kreut të ARM, Denis Vogli, objekt i inspektimeve do të jenë të gjitha kompanitë e naftës dhe subjektet e tjera që mund të kenë shkarkime në lumë, duke pasur parasysh nivelin e lartë të ndotjes.
Grupet e punës kanë marrë mostra nga uji dhe, në varësi të rezultateve të analizave, do të merren masa administrative që mund të shkojnë nga vendosja e gjobave deri te pezullimi i aktivitetit.
Në një deklaratë për mediat, Vogli shtoi se gjatë vitit të kaluar disa subjekte që janë konstatuar përgjegjëse për ndotjen janë çuar deri në ndjekje penale