Në Rrogozhinë, dita e sotme sjell një ndeshje me shumë ngarkesë emocionale dhe sportive.Teuta-Egnatia-1024x682Egnatia pret Teutën në një duel që, përtej renditjes, ka në qendër dëshirën për të mbyllur një kapitull të gjatë pa fitore ndaj një rivali që i ka sjellë shumë zhgënjime ndër vite. Pesë vite kanë kaluar që nga suksesi i fundit i rrogozhinasve përballë durrsakëve dhe për skuadrën e Edlir Tetovës kjo sfidë përfaqëson më shumë se një ndeshje kampionati, është një mision për të thyer një “mallkim” të vjetër. Edhe pse rrogozhinasit kanë arritur kulmin këto sezone me paraqitje e tyre, Teuta ka mbetur gjithnjë një “mace e zezë”.
PESË VITE PA FITORE – Që nga rikthimi i Egnatias në Superiore, të dyja skuadrat janë ndeshur 16 herë mes tyre. Bilanci është i thellë në favor të Teutës: 9 fitore për durrsakët, 6 barazime dhe vetëm një fitore për Egnatian, ajo e vetmja në dhjetorin e vitit 2021, në “Niko Dovana”, me rezultatin 1-2. Të dy golat janë shënuar nga Artur Magani, i cili tanimë e ka mbyllur me futbollin profesionist. Që prej asaj dite, Egnatia nuk ka mundur më të përsërisë suksesin, duke parë si çdo duel i mëvonshëm ka përfunduar në zhgënjim. Edhe më problematike për Tetovën mbetet fakti se në “Arena Egnatia” skuadra nuk ka mundur asnjëherë Teutën, një statistikë që e kthen këtë stadium në “terren të ndaluar” për fitore ndaj durrsakëve.
SFIDA E TREFISHTË – Ndeshja e sotme merr përmasat e një prove karakteri. Një fitore e mundshme e Egnatias do të kishte vlerë të trefishtë: do të shënonte rikthimin te fitorja pas pesë vitesh mungesë, suksesin e parë në shtëpi ndaj Teutës dhe fitoren ndaj një skuadre që deri tani nuk është mundur nga askush në këtë sezon. Tri tabu për t’u thyer në një 90-minutësh që mund të ndryshojë psikologjinë e skuadrës dhe të kthejë besimin në një grup që kërkon të tregojë se nuk është më surprizë e përkohshme, por një realitet i qëndrueshëm në elitë.
Duke parë atë që kanë treguar durrsakët këtë sezon, duke një mision jo i lehtë, por kampionët duan patjetër tri piëkt për të mos humbur terren me kreun. Statistikat janë kundër Egnatias, por futbolli shpesh i përmbys ligjet e tij. Kampionati ka treguar se diferencat mes ekipeve janë më të vogla se kurrë, dhe çdo javë mund të sjellë një surprizë. Për Tetovën dhe skuadrën e tij, kjo është mundësia ideale për të mbyllur një kapitull pesëvjeçar pa fitore dhe për të hedhur një hap të fortë përpara.