Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu një ditë para ceremonisë për ndarjen e çmimeve “Alumni” për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani kishte drejtuar gishtin kah, siç ka thënë, shoqata “Alumni” për këto çmime.
Mirëpo sot në ceremoni këtë çmim e ka ndarë në emër të Universitetit të Prishtinës. Shoqatën nuk e ka përmendur fare në fjalimin e tij të gjatë të martën.
I pyetur të hënën se cila ka qenë baza për dhënien e këtyre çmimeve për Kurtin e Osmanin, Hajrullahu shkurt kishte kërkuar nga Vox Kosova që këto pyetje t’ia drejtonte shoqatës “Alumni”.
“Hajde nesër e sheh, e sheh nesër e sheh, lexon edhe në lajme. Pyte bre Shoqatën se Shoqata “Alumni” e ka dhanë këtë projekt”, ka thënë shkurt Hajrullahu.
Ndërkaq, në fund të fjalimit, rektori Hajrullahu tha se Kurti e Osmani kanë bërë përpjekje të përditshme për një shtet të së drejtës. Aty e pranon se çmimi po ndahej në emër të Universitetit të Prishtinës.
“Ju, të diplomuar të UP-së, me përpjekjet tuaja të përditshme për një shtet të së drejtës dhe një Kosovë më të zhvilluar e më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Hajrullahu në këtë fjalim.
Me këtë rast, kam nderin e veçantë që në emër të Universitetit të Prishtinës t’jua dorëzoj Çmimin ,,Alumni i Nderit i Universitetit të Prishtinës. Faleminderit e na priftë e mbara”, ka thënë Hajrullahu.
Të martën, ish-drejtoresha e kësaj organizate Gjylbehare Llapi ka pranuar se para se të largohej nga posti ishin në procedura me UP-në që ‘Alumni’ të kalonte te Universiteti.
“Unë kam qenë Drejtoreshë, por nuk jam më. Jemi në procedura me Universitetin e Prishtinës, me u bartë krejt te ata. Me të thënë të drejtën edhe anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati, dhe tash rektori me prorektoren e kanë marrë një vendim me caktu një person, por nuk më kanë tregu se kush është caktu. Unë veç kom me ia bart qatij personi kompetencat, por nuk e di kënd e kanë caktu. Mua më kanë tregu që ka me u mbajt një takim, por unë nuk e kam mar këtë vendim. Nuk e di kush e ka marë” – ka thënë ish-drejtoresha në një deklaratë për Nacionalen.