Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se zgjedhja e Kryesuesit Komunal të Junikut, 31 ditë pas funksionalizmit të Kuvendit të ri, ishte në përputhje me ligjin.
MAPL të mërkurën ka njoftuar gazetën online Reporteri.net, se votimi i 12 janarit 2026 për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut është në përputhje me ligjin. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se vlerësimin e kreu në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.
“Vendimin Nr. 2-180/265 të datës 12.01.2026, për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut, MAPL e ka vlerësuar se është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, njoftoi MAPL.
“Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë është dërguar në komunë”, u tha tutje në njoftimin e dërguar në formë përgjigje për gazetën online Reporteri.net.
“MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.
Më 22 janar 2026, raportoi se Kuvendi Komunal i Junikut votimin për zgjedhjen e Kryesuesit e kreu në ditën e 31-të pas themelimit të legjislaturës së re komunale.
15 asamblistët e Junikut, betimin në Kuvend e dhanë më 12 dhjetor 2025. Të njëjtën ditë u betua edhe kryetari i rizgjedhur Ruzhdi Shehu. Derisa, Kryesuesi i Kuvendit u zgjedh tek më 12 janar 2026-të, në ditën e 31-të pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal. Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që zgjedhja e kryesuesit të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre. Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues.